ATSH/- Posta Shqiptare, nisur nga situata e krijuar nga përhapja e COVID-19 në vend, përsërit thirrjen drejtuar të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke ruajtur distancimin fizik dhe duke mbajtur masat mbrojtëse.

Posta Shqiptare thekson se ndonëse nga ana e punonjësve të zyrave të Postës Shqiptare bëhen të gjitha përpjekjet për ruajtjen e distancave dhe sigurisë gjatë ofrimit të shërbimit, është shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi nga ana e qytetarëve.

Në kuadër të parandalimit të radhëve të gjata apo ndonjë mundësie infektimi në këtë situatë të pazakontë, Posta Shqiptare njofton se prej disa vitesh, ofron për të gjithë pensionistët shërbimin “Shpërndarja e pensionit në adresë”.

“Shpërndarja e pensionit në adresë” është alternativa e duhur për të mbrojtur pensionistët në këtë situatë të pazakontë pandemie dhe radhëve të gjata në temperaturat e larta të gushtit.

“Shpërndarja e pensioneve në banesë për mbi 500 mijë pensionistë në të gjithë vendin, gjatë periudhës së karantinës, provoi se Posta Shqiptare i ka të gjitha kapacitetet shpërndarëse për të ofruar këtë shërbim me shpejtësi dhe siguri”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Pensionisti ose një anëtar i familjes së tij mund të paraqitet në zyrë postare, të plotësojë një formular aplikimi për përfitimin e këtij shërbimi dhe pensioni do të shpërndahet sipas grafikut të përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Posta Shqiptare dhe punonjësit e shërbimit janë në dispozicion të qytetarëve për të asistuar në përfitimin e këtij shërbimi.

Gjithashtu, Posta Shqiptare, vazhdon fushatën e ndërgjegjësimit dhe komunikimit me qytetarët në terren. e.xh/ /a.g/