Kuvendi nis sot diskutimin në parim të projektbuxhetit për vitin 2025, në një seancë maratonë dyditore.

 

Projektbuxheti për vitin 2025 përmbush dy objektiva themelorë, rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskal në nivele pozitive.

 

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB dhe krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.

 

Shpenzimet Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar në nivelin 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024.

 

Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët prioritarë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë.

 

Financimi i investimeve publike të programuara do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë ose 6.2% e PBB-së, duke mbështetur e zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë, infrastrukturën.

 

Po ashtu, materializohen objektivat kryesorë të politikës fiskale, siç është një balancë primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.

 

Për vitin e ardhshëm Qeveria synon një nivel borxhi prej 55.8 % të PBB-së, nga 56.3 % që pritet të arrijë deri në fund të vitit 2024.atsh