Në një sqarim zyrtar, Zyra e Shtypit e Presidentit të Republikës theksoi se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillimor që mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, duke nënvizuar se ky këshill nuk merr vendime për çështjet që diskuton.

Sipas Presidencës, Këshilli përbëhet nga drejtues të institucioneve më të larta shtetërore dhe ka si funksion kryesor shqyrtimin e rekomandimeve për masat që Presidenti përgatit për institucionet ligjzbatuese dhe ato përgjegjëse për sigurinë, në funksion të përballimit të rreziqeve ndaj vendit.

Në deklaratë bëhet e ditur se, Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet pjesë e këtij këshilli dhe informohet vazhdimisht për situatat, skenarët dhe masat e ndërmarra në kuadër të protokolleve të sigurisë.

Gjithashtu, Presidenti ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës, ndërsa mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë.

Në të njëjtën kohë, evidentohet se bashkëpunimi institucional, si dhe ai me partnerët e huaj dhe ndërkombëtarë, vijon në nivele shumë të larta.

Presidenca thekson se komunikimi me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare vazhdon pa ndërprerje, ndërsa këto struktura janë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore.

/gj.m/j.p/