Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale momente nga mbërritja në Shqipëri e Presidentit Al Nahyan të cilin e cilësoi “mik të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar, këtej e andej bjeshkëve”.

Po ashtu, ndërsa ndau momente nga mbërritja e Presidentit Al Nayan, Rama i shoqëroi me disa vargje të Fan Nolit.

“Flamur që lind Shën Konstandinin,

Pajton Islamn’ e Krishtërimin,

Çpall midis feve vllazërimin,

Flamur bujar për Njerëzi”.

Al Nahyan u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas nga Kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara shkëmbyen në shkurt të këtij viti marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të bashkëpunimit midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe nënshkrimin e letrës së angazhimit për Projektin e Qytetit Inteligjent të Shqipërisë me “Presight AI Ltd” në prani të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi Tiranën, dhe kryeministrit Edi Rama.