Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka paraqitur Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, vepër e një pune 4-vjeçare, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me tërë institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
“Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kishte lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta që i mungonte një fjalor i tillë”- tha Gjinushi.
Akademia, u shpreh Gjinushi, në kuadër të reformimit të saj, si nxitëse e koordinuese e kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e albanologjisë, zgjodhi të ideojë e drejtojë tri projekte madhore në këtë drejtim, përfshirë dhe hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.
“Për ndërmarrjen e këtyre iniciativave ajo bashkëpunoi me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke e përfshirë atë në protokollin e përbashkët”- tha Gjinushi.
Gjinushi shtoi më tej se fillimi i punës e konturimi i projektit u mbështet mbi përvojën e hershme historike të Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë e Departamentit të Gjuhës në hartimin e një sërë fjalorësh deri tek ai i mesëm i vitit 1980.
Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, hartimi i platformës paraprake iu besua akademik Jani Thomait e akademik Valter Memishës, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e kryetar i komisionit të përhershëm të gjuhës dhe letërsisë në atë kohë.
“Për të hartuar këtë vepër u ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e qeverisë dhe Kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore”- tha Gjinushi.atsh