ATSH/ Në ambientet e drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u prezantua sot drejtori i ri i Policisë, Skënder Hita. Gjatë prezantimit të tij të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu si dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Në fjalën e saj, Koçiu vlerësoi emërimin e Hitës si një tregues të qartë të meritokracisë dhe transparencës brenda Policisë së Shtetit.

“Përzgjedhja e tij është një provë e qartë se karriera në Policinë e Shtetit ndërtohet mbi meritën transparencën dhe integritetin. Sot Policia e Shtetit është një institucion që ka hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe këtë e dëshmojnë të gjithë si një trupë profesionale e konsoliduar gjithnjë e më e mirë paguar dhe e orientuar qartë drejtë modernizmit dhe digjitalizimit. Ky është një standard që e kemi ndërtuar dhe që duhet jo vetëm ta ruajmë por edhe ta çojmë më tej”, tha Koçiu.

Ajo shtoi se detyra kryesore e drejtorit të ri është të forcojë këto standarde në çdo hallkë të institucionit.

Sipas saj, Policia e Shtetit është “organizata më e rëndësishme e shtetit shqiptar, e cila në çdo nivel të drejtimit, në çdo hallkë dhe ndërveprim me qytetarët, duhet të ketë parësore pikërisht integritetin dhe profesionalizmin në mënyrën se si komunikon dhe ndërvepron me gjithsecilin”.

Zëvendëskryeministrja kujtoi edhe arritjet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit.

“Një polici moderne matet jo vetëm me rezultate operative, por mbi të gjitha me cilësinë e organizmit profesionalizmit dhe aftësinë për t’ju përshtatur sfidave të kohës. Në këtë kuadër më duhet të them se Policia e Shtetit ka arritur nivele të larta të zbulueshmërisë së veprave penale si dhe kemi forcuar goditjen financiare të krimit përmes identifikimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale”, tha ajo.

Koçiu tha se megjithë arritjet, sfidat janë ende të mëdha, teksa renditi disa nga objektivat e Policisë së Shtetit.

“Së pari mes detyrave që Policia e Shtetit ka sa i përket një procesi shumë të rëndësishëm që është integrimi në BE. Policia e Shtetit ka një rol kyç si një hallkë vendimtare sa i përket përmbushjes së kapitujve që lidhen drejtpërdrejt me ligjin dhe sigurinë. Kjo kërkon domosdoshmërisht një rritje të standardeve profesionale dhe institucionale në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

“Nga ana tjetër është teknologjia, nuk mund të ndërtojmë një polici të së ardhmes pa parë dhe pa përmirësuar instrumentet që kemi ën dorë dhe që janë përdorur në vazhdimësi nga Policia e Shtetit. Digjitalizimi i shërbimeve, zbatimi i projekteve si Smars City, identiteti digjital, E-Gate dhe sistemet inteligjentë janë elementë thelbësore për një polici moderne.

“Së treti, ripërtëritja e trupës së Policisë së Shtetit, përmes afrimit të të rinjve dhe të rejave mbi bazë meritokracie dhe përmes forcimit të integritetit duke garantuar që uniforma e PSH të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, u shpreh Koçiu.

Koçiu shtoi gjithashtu se forcimi i Policimit në Komunitet do të vazhdojë që të mbetet një hallkë e domosdoshme e punës së Policisë së Shtetit për të qenë sa më pranë qytetareve.

Po ashtu theksoi ajo, rritja e sigurisë në shkolla, në rrugë, në hapësira publike, është një objektiv tjetër i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.