Në Universitetin e Elbasanit u përurua sot Klinika e Ligjit, në të cilën, pedagogë dhe studentë të vitit të pestë të Drejtësisë do të ofrojë këshillim ligjor falas për personat në nevojë.
Ngritja e klinikës u bë e mundur falë bashkëpunimit dyvjeçar të Universitetit me Prezencën e OSBE-së, e cila ka dhuruar edhe pajisje kompjuterike, literaturë ligjore dhe trajnim për studentët.
Klinika do t’u shërbejë edhe studentëve, duke vënë në praktikë njohuritë e marra gjatë studimeve.
“Nëpërmjet përfshirjes në klinikë, jo vetëm që do të zhvilloheni si juristë të ardhshëm, por dhe si avokatë me dhembshuri e drejtësi. Keni fuqinë të ndikoni qenësishëm në jetën e individëve dhe familjeve në nevojë”, u tha studentëve kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran.
Klinika e Ligjit ofron këto shërbime: informon shtetasit për legjislacionin në fuqi; për të drejtat dhe detyrimet; i orienton ata se si të veprojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve; harton shkresa drejtuar institucionit me të cilin personi është në konflikt; si edhe ndihmon shtetasit në plotësimin e formularëve për përfitimin e këtij shërbimi dhe në plotësimin e dokumenteve të nevojshme.
Ndihma Juridike Parësore është një shërbim ligjor pa pagesë, i garantuar nga shteti, e cila ofrohet për mosmarrëveshjet që mund të zgjidhen pa qenë e nevojshme që t’i adresohesh gjykatës.
Ndihmën juridike parësore falas e përfitojnë të gjithë shtetasit në pamundësi ekonomike dhe ata që u përkasin kategorive të veçanta si viktimat e dhunës në familje, të abuzimit seksual, trafikimit të qenieve njerëzore, të mitur, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e skemës të mbrojtjes sociale. /j.p/atsh