Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau sot përvojën e të rinjve që janë punësuar pranë MBZHR dhe institucioneve të varësisë përmes këtij programi, që nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) njihet si përvojë pune.

Salla tha se në 7 vitet e fundit, 356 studentë kanë kryer praktikën 3-mujore dhe 132 prej tyre janë punësuar me kontratë 1-vjeçare, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë bërë pjesë e Ministrisë dhe institucioneve të varësisë 36 të rinj.

Ministri Salla tha se gjatë takimit me të rinjtë u bisedua hapur për përvojën e tyre, për sfidat dhe mundësitë që krijon ky program, duke ndarë edhe zhvillimet pozitive në tregun e punës që po e bëjnë këtë rrugëtim edhe më të motivueshëm:

“Nga 1 janari 2026 paga minimale është rritur nga 400 euro, në 500 euro. Paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 1026 euro, ndërsa në sektorin privat 785 euro. Nga 1 janari 2026 ka nisur zbatimi i skemës së indeksimit të pagave në sektorin publik, për të rritur fuqinë blerëse. Investimi tek të rinjtë dhe punësimi cilësor mbeten prioritet, sepse ata sjellin energjinë, profesionalizmin dhe vizionin që i duhet sot zhvillimit të sektorit dhe vendit”, tha Salla.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës po ndihmon të rinjtë të integrohen në tregun e punës në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, duke shënuar hapa cilësorë edhe në bujqësi dhe zhvillimin rural.