Në projektbuxhetin e vitit 2023, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin vlerësohen me rritje 4.2%.
Referuar relacionit që shoqëron p/buxhetin në total parashikohet të arkëtohen 49.5 miliardë lekë lekë nga tatimi mbi fitimin, ose 2 miliardë lekë më tepër se në 2022.
Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet në forcimin e kontrollit të deklaratave bazuar në kriteret e riskut.
Ndërkohë, të ardhurat nga ky zë gjatë 8-mujorit të këtij viti u realizuan në masën 30 miliardë lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se të ardhurat nga ky zë rezultuan 8.4 miliardë lekë ose 38.6% më shumë se 8-mujori 2021, si dhe 143 milionë lekë ose 0.5% më shumë se plani i vitit 2022 për tatimin mbi fitimin.
Rritja e nivelit të të ardhurave të mbledhura nga ky zë, lidhet me një fitim më të lartë të bizneseve për shkak të rritjes së çmimeve, i diktuar nga kriza, aksioni antiinformalitet i administratës tatimore dhe pagesa në kohë e kësteve nga ana e tatimpaguesve, duke qenë se një vit më parë për shkak të pandemisë ka pasur vonesa të konsiderueshme, ku dhe u aplikua amnisti për gjobat e vendosura.
Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit dhe sektori i ndërtimit patën rritjen më të lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen personat juridikë dhe ortakëritë që janë regjistruar për TVSH-në, personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë, çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
Qeveria është angazhuar që biznesi i vogël të vijojë të ketë tatimfitimin zero, deri në vitin 2029. /j.p/atsh


























