Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, miratoi sot projektligjin “Për aktvitetet e turizmit detar”, i cili parashikon rregullat, kriteret për llojet e mjeteve lundruese turistike, infrastrukturën e nevojshme për ushtrimin e tyre si edhe përcaktimin e përgjegjësive insitucionale për zhvillimin e këtyre veprimtarive.

Ministri i Turizmit Blendi Klosi tha se, në kuadër të politikave që ka ndërmarrë qeveria për zhvillmin e infrastrukturës, u ndërmorr iniciativa për sjelljen e këtij projektligji si një kapitull i ri zhvillimi.

“Projektligji vjen pas diskutimesh mes shumë aktorëve dhe është paralelisht me projektligjin që ka ardhuar në Kuvend për heqjen e TVSH-ë, për importin e jahteve çka do ta bëjë Shqipërinë shumë atraktive në botë” – tha ai.

Ministri Klosi, u shpreh se heqja e TVSH-së për importin e jahteve do t’i japë zhvillim porteve të jahteve në Shqipëri. “Vendi ynë nga liqeni i Shkodrës e deri në zonën e Sarandës ka mundësi për të ndërtuar marina, porte jahtesh”, u shpreh ai.

Klosi informoi se në vende të BE-së ka 10 mijë marina që kanë mbi 1 milion vende ankorimi ndërsa në Shqipëri po hidhet një hap i ri për ta zhvilluar këtë sektor.

Ndërsa relatorja e projektligjit, Eglantina Gjemeni tha se ky është një projektligj i ri që vjen nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ka për qëllim zhvillmin e industrisë së turizmit qe ka një kontribut të madh në ekonominë e vendit.

Projektligji “Për aktvitetet e turizmit detar”, theksoi ajo, vjen në kuadrin e diversifikimit të turizmit për ta shëndërruar Shqipërinë në një vend turistik gjithëvjetor sipas rregullave të mirëpërcaktuara për zhvillimin e aktiviteteve të turizmit detar.

Bregdeti shqiptar ka potenciale të pashfrytëzuara dhe oferta për aktivitetet detare i adresohet turizmit të kroçerave të mëdha, jahteve dhe udhëtimeve me mjete lundrimi, të cilat ofrojnë siguri të lartë. Prandaj u shfaq si domosdoshmëri përgatitja paraprake e kuadrit të nevojshëm rregullator, që lehtëson zhvillimin e këtij lloj turizmi, i cili ka impakt në rritjen e investimeve, punësimit dhe të ardhurave ekonomike. e.xh/j.p/atsh