Partia Socialiste hapi sot fushatën e saj elektorale në qytetin e Elbasanit. Në vend të takimeve të mëdha dhe materialeve propagandistike, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja dhe kandidatët për këshilltarë bashkiakë zgjodhën që të mbjellin pemë dhe t’i shërbejnë qytetit me një hapësirë të shëndetshme.
Numri dy i socialistëve u shpreh se kjo hapje fushate tregon dhe vizionin e vullnetin e PS për të kontribuar për zhvillimin e Elbasanit.
“Në fakt kjo është hapja e fushatës me ekipin e mrekullueshëm të këshillit bashkiak dhe me gjithë ekipin tonë politik. Ndryshe nga fushatat me çjerrje dhe me të bërtitura ne kemi zgjedhur simbolikisht të mbjellim një pemë. Pse? Duke dhënë mesazhin që ne jemi pro zhvillimit të Elbasanit me vepra. Duke mbjellë një pemë ne krijojmë dhe një shpresë për të ardhmen dhe natyrshëm ky qytet meriton të ketë më shumë bukuri, më shumë zhvillim, gjë që po bëhet realitet dita – ditës”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se Këshilli bashkiak do të jetë së bashku me Gledin ekipi i garancisë që zhvillimi i Elbasanit nuk do të ndalet.
“Elbasani i katër viteve të ardhshme, pse jo Elbasani i vitit 2030, ashtu siç dhe ne e projektojmë si vision, do të jetë një qytet me një shëtitore buzë lumit që do ta kenë zili të gjithë. Me një lagje Kala të rehabilituar që do të jetë bukuria dhe simbolika e Elbasanit. Elbasani nuk ka nevojë për fjalime emocionale se Elbasani u është kthyer elbasanllinjve. Elbasani ka nevojë për vepra konkrete. Këshilli bashkiak do të jetë së bashku me Gledin ekipi i garancisë që zhvillimi i Elbasanit nuk do të ndalet”, nënvizoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri shpehu bindjen se qytetarët e Elbasanit do të votojnë në mënyrë masive kandidatët për këshilltarë të PS.
“Simbolikisht ne mbjellim një pemë, japim një shpresë. Elbasani këtë pret dhe ne këtë do t’i ofrojmë si Parti Socialiste. Unë e uroj gjithë këtë ekip të mrekullueshëm të ketë një fushatë sa më të bukur, sa më të mbarë dhe patjetër me këshillin bashkiak të fituar në shumicë nga Partia Socialiste për të bërë realitet të gjitha ato që u thanë. Ne nuk mund të sjellim pengesë për Elbasanin. Elbasani do të ecë vetëm përpara me Gledin, me këshilltarët e Partisë Socialiste, me gjithë këtë ekip të mrekullueshëm politik”, tha Gjiknuri.
Partia Socialiste ka vendosur që një pjesë të buxhetit të saj elektoral, ta shpenzojë jo për materiale propagandistike për fushatën e 14 majit, por për t’i dhuruar pemë bashkive të vendit tonë.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja theksoi se kjo fushatë nuk mund të niste më mirë sesa me lajmin e mrekullueshëm se në 4 vite kemi mbjellë 100 mijë pemë dhe sot jemi pjesë e misionit të BE për uljen e ndotjes.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu bashkë me listën fituese, listë përcaqësuese të PS të Këshillit Bashkiak ku po nisim një rrugëtim të ri këtë 4 vjecar , që po bëjmë gati të fillojmë në bashkinë e Elbasanit, pikërisht për të vazhduar me punë të mira, por edhe me shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta.
Eshtë vizioni ynë të kemi një qytet të pastër të gjelbëruar. Vizioni ynë është ta tjetërsojmë të gjithë sistemin tonë të pastrimit, të menaxhimit të mbetjeve, të shtimit të sipërfaqeve të gjelbërta dhe të atyre pyjore.
Të mos harrojmë se Elbasani, falë një pune tonë intensive, gjatë këtyre katër viteve është bërë pjesë e misionit të madh që ka BE për uljen e ndotjes në qytete dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta.
Eshtë një punë e madhe, që shumë shpejt në vitet në vijim ne do të shohim rezultatet konkrete të këtij projekti dhe të këtyre programeve të nisura nga ne dhe me mbështetjen e BE – së. Jemi pjesë e 100 qyteteve të cilat do të transformohen brenda viti 2030 dhe është një punë e madhe e nisur
Kemi mbjellë gati 100 mijë pemë vetëm këtë katër vjeçar.
Dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen dhe t’ju uroj suksese në rrugëtimin tonë të përbashkët.”