Sot pasdite në orën 18.00 drejtuesit e qarqeve të PS do të mblidhen në selinë rozë për ti “vënë vulën e fundit” emrave të kandidatëve për deputetë të kësaj force politike që do të garojnë për zgjedhjet e 25 prillit.

Burime të besueshme i thanë Newsbomb.al se pjesa më e madhe e listave ka përfunduar ndërkohë që do të vendosen detajet e fundit të emrave.

Ajo që dihet me siguri është se drejtuesit politikë të qarqeve do të jenë në “vijën e zjarrit”, që do të thotë në kufijtë e listave, aty ku PS pretendon të marrë mandatin e fundit.

Kështu, Ilir Beqja në Shkodër do të vendoset I katërti në listë; Gramoz Ruçi në Fier do të jetë në numrin 10 të listës së deputetëve; Taulat Balla në Elbasan pritet të jetë në vendin e tetë, duke pretenduar se kaq mandate do të marrë PS në atë qark.

Olta Xhacka në Diber besohet se do të jetë në vendin e tretë, ndërkohë që Damian Gjiknuri “shpëton” nga kjo skemë meqë Rama vetë ka shpallur se do të jetë në dy qarqe, në Vlorë dhe në Durrës.

Niko Peleshi, drejtues I qarkut të Korcës, do të jetë numri 6 në listë. Për Bledi Cucin, ende nuk është vendosur se varet shumë se ku do të jetë Vangjel Tavo, në listën e PD apop do të jetë më vete me LSI. Nëse LSI del vetëm, atëherë Cuci do të jetë I dyti në listë, në të kundërt, në vendin e tretë.

Megjithatë, gjithcka mbetet e hapur deri në orën 18.00 kur PS do të bëjë gati listën që do të cojë në KQZ.