/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se, “prokuroria po heton në mënyrë intensive për publikimin e pagave dhe kush e ka bërë do të përgjigjet përpara ligjit”.
Në konferencën e fundvitit me mediet, Rama tha se “me pagat ka ndodhur së fundi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe natyrisht shumë shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes i takon prokurorisë”.
“Prokuroria po heton në mënyrë intensive. Unë uroj dhe shpresoj dhe kam arsye të besoj se së shpejti do të kemi rezultate dhe kush e ka bërë do të përgjigjet përpara ligjit”, tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, kjo ngjarje mund të quhet se jo çdo e keqe vjen për keq. “Natyrisht ekspozimi i të dhënave për pagat është i papranueshëm por nga ana tjetër sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe askush nuk do mund të thotë se po sulmojmë askënd, duke filluar nga pagat e medieve. Nuk është një e dhënë që ne nuk e dinim, natyrisht nuk është një situatë si më parë, por është e papranueshme”, tha Rama.
“Do të kërkojmë nga të gjithë kompanitë që japin paga fiktive të vetërregullojnë deklarimet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë që rezultojnë në mospërputhje dhe deri në shkelje flagrante me kapacitet e tyre, duke u kërkuar që të vetërregullohen me vetë deklarimet e reja deri në 20 janar. Në rast mos vetë deklarimi do të ketë hetim të thelluar, për vetë deklarim të pasaktë dënohen me gjobë dhe për evazioni dënohen me burg”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, “ne kemi përgatitur një plan përpara se të ndodhte kjo dhe në Formularin e Këshillit Kombëtar një nga pikat është kjo. Ne nuk mund të vazhdojmë me gradualitet sepse kemi zgjedhur gradualitetin vit pas viti, për të rregulluar sistemin dhe për të mos krijuar situata mbytëse për biznesin, por nuk mund të vazhdojmë me gradualitet për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin në të bardhë atë që ju takon, duke shitur pa vullnetin e tyre të ardhmen sepse tek pagat minimale të deklaruara shoqëruar me para cash, goditet e ardhmja e individit, pasi sigurimet për pensionin janë shumë të ulëta, goditeten të ardhurat e skemës së pensionit dhe bllokohet mundësi për të rritur pensionet”.
“Si mund të rrisë pensionet një vend ku fasha më e lartë deklaron paga më të ulëta, është e pamundur dhe procesi do të ndërtohet me hetim pasuror të të gjithë atyre kompanive dhe biznesmenëve që deklarojnë për punonjës paga minimale apo nën atë që paguhen”, u shpreh ai.
“Kjo do të shoqërohet me një reformë të re dhe të shpejtë, për të ndarë në një mënyrë teknike biznesin e vogël nga hapësirat që që i japin atyre të fitojnë më shumë, dmth që të bëjnë cirk. Nga ana tjetër kjo do të na ndihmojë t’i garantojmë punonjësve pagë reale minimale. Kjo qeveri do të jetë e tera në krahun e punonjëse dhe do të stimulojmë punonjësit që të mos heshtin”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se “Nga 1 janari 2022 fillon një sistem i ri taksimi për ata që marrin 400 mijë lekë të vjetra nuk do të paguajnë taksë mbi pagën, për ata që marrin 500 mijë lekë të vjetra do të paguajnë gjysmën e taksës dhe për ata me pagë mbi 1.5 do të kenë ulje”.
“Të gjitha këto shkojnë në drejtim të njerëzve të punës dhe është koha për të ngritur një mur për njerëzit e punës dhe gradualisht por në mënyrë intensive siç e kemi bërë pas tërmetit, u shpreh Rama. /j.p/



























