ATSH/- Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ka filluar të shpërndahet nëpër shkolla.
Kopertina e abetares që do të jetë këtë vit mësimor në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës është publikuar nga Radio Televizioni i Kosovës marrë nga shtëpia botuese “Dukagjini”.
Ndërkohë, Edona Kutleshi nga Zyra për Informim në Ministrinë e Arsimit, në një prononcim telefonik për RTK- në ka sqaruar se shpërndarja e Abetares nëpër shkolla është duke u jetësuar.
Në muajin korrik, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci deklaroi se nxënësit e klasës së parë në shkollat e dy shteteve, Shqipëri dhe Kosovë nga ky vit do të mësojnë me një abetare të përbashkët.
Ajo ka sqaruar se kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe se nga 1 shtatori së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi do ta përurojnë abetaren e përbashkët të dy shteteve.
“Sa i përket abetares së përbashkët, edhe për këtë kanë përfunduar të gjitha procedurat. Kemi kërkuar nga shtëpia botuese që kopja digjitale të dërgohet në shkolla, në mënyre që mësuesit e klasës së parë të përgatiten dhe të punojnë suksesshëm me këta nxënës”, ka deklaruar ministrja.



























