Presidenti rus, Vladimir Putin ka përsëritur gatishmërinë e tij për të rinovuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja për transportimin në mënyrë të sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, vetëm pasi të jenë përmbushur të gjitha kërkesat ruse.
Në një takim me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan sot në Soçi në Detin e Zi, Putin tha se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë po pengojnë eksportin e saj të grurit, plehrave kimike dhe teknologjisë bujqësore.
“Kur të hiqen këto kufizime në eksportin e produkteve bujqësore ruse, atëherë do të rifillojmë me paktin, i njohur zyrtarisht si “Iniciativa e Grurit të Detit të Zi”, tha Putin.
Erdogan po vepron si ndërmjetës në luftën ruse kundër Ukrainës dhe po mban kontakte të ngushta me të dyja palët.
Turqia, një anëtare e NATO-s, nuk merr pjesë në sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.
Marrëveshja e grurit , për të cilën Erdoğan negocioi, shihet si thelbësore për trajtimin e pasigurisë globale të ushqimit dhe frenimin e çmimeve të grurit.
Ukraina është gjithashtu e varur nga të ardhurat e eksporteve.
Në korrik, Moska tha se po ndërpriste pjesëmarrjen në marrëveshjen një-vjeçare, e cila krijoi korridore për eksportin e dhjetëra miliona tonë grurë dhe plehra kimike, pavarësisht bllokadës detare ruse.