Dy persona janë arrestuar në Shkodër, pasi qëlluan me armë zjarri duke shkaktuar panik dhe frikë tek banorët e zonës.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Kuç të Njësisë Administrative Gur i Zi, ku në një livadh u raportua për të shtëna me armë zjarri.
Në pranga u vunë shtetasit L. A., 18 vjeç dhe K. G., 19 vjeç, të dy banues në qytetin e Shkodrës.
“Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, si dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur gjatja e armës së zjarrit kallashnikov, të cilën e kishin fshehur në një livadh në afërsi të lumit Drin.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesave të këtyre shtetasve, ku gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. G, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, dy karikatorë automatiku me fishekë dhe 410 fishekë luftarak.
Ndërsa në banesën e shtetasit L. A., Policia gjeti dhe sekuestroi një palë pranga dhe një shkop metalik me hapje, si ato që përdorin forcat e rendit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
/Ora News.tv/