”Albanian Night” qendra më e re e artit dhe kulturës tradicionale në Tiranë, është kthyer në vendtakimin e rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe biznesit, ku e kaluara ringjallet për të ushqyer të ardhmen.
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale historinë e Kristinës, që e mësoi artin e endjes në tezgjah nga familjarët e bashkëshortit dhe e pasuroi me ngjyra e motive bashkëkohore.
“Sot, punishtja e familjes Mjeda sjell një ndërthurje të mrekullueshme të traditës dhe modernes, duke mbajtur gjallë trashëgiminë e familjeve qytetare shkodrane”, u shpreh Gonxhja, teksa punimet e saj janë të ekspozuara në qendrën ”Albanian Night”.
Gonxhja tha se, në ”Albanian Night”, janë ekspozuar 12 mijë krijime artizanale që promovojnë traditën shqiptare.
“Zbuloni mbi 12,000 krijime autentike shqiptare nga mbi 500 artizanë të talentuar në Qendrën Kulturore “Albanian Night,” ku tradita gjen vendin e saj përmes mbështetjes nga Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Start-Up Albania, si dhe nga Delegacioni i BE-së përmes projektit EU4Innovation, i zbatuar nga GIZ”, u shpreh Gonxhja.
“Së bashku mbështesim bizneset shqiptare për të ruajtur identitetin lokal dhe prezantuar ato në tregun evropian”, tha ministri Gonxhja.


























