Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ambienti modern i këtij laboratori, ku zbatohet teknika e avancuar e analizës së genomit (microarray), ndësa kryerja e analizave gjenetike bëhet sipas standardeve ndërkombëtare.

“Diagnoza më të shpejta, më të sakta dhe më të sigurta për pacientët”, shkruan Rama.

Qendra e diagnostikës molekulare pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, është qendër referimi në nivel kombëtar për kryerjen e testeve gjenetike dhe zhvillimet e reja laboratorike në këtë fushë.

Qendra është e përbërë nga katër hapësira pune, që i korrespondojnë proceseve të ndryshme që kryen në to. Çdo hapësirë ka emërtimin e vet dhe në ato dhoma duhen kryer vetëm proceset e parashikuara sipas protokollit.

Dhomat emërtohen si dhoma e ekstraktimit të ADN-së, ku vendosen kampionet biologjike për t’u ekstraktuar, dhoma e PCR, ku përgatiten reaksionet e PCR me të gjithë elementet përbërës përveç ADN-së, dhoma ku analizohen produktet e amplifikimit të ADN-së nëpërmjet elektroforezës në xhel agarozi, si edhe dhoma ku analizohen mutacionet e gjeneve në Sekuenciatorin e ADN-së.

Pjesë e laboratorit është dhoma e konsultave gjenetike ku ofrohet këshillimi gjenetik sipas rasteve.

/e.i/a.f/