Kryeministri Edi Rama ftoi mëngjesin e sotëm qytetarët t’i bashkohen Ditës Botërore të Pastrimit në një aksion të madh mjedisor.

Kreu i qeverisë theksoi se ky pastrim ka kohë që ka nisur skaj më skaj të Shqipërisë përmes Planit Kombëtar të Pastrimit.

Rama nënvizoi se Plani Kombëtar i Pastrimit ka shënuar rezultate mbresëlënëse, duke sensibilizuar gjithnjë e më shumë qytetarë të përgjegjshëm që janë bashkuar vullnetarisht në këtë nismë.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën për t’iu bashkuar Ditës Botërore të Pastrimit në një aksion të madh mjedisor, të cilin ne kemi kohë që e kemi nisur skaj më skaj të Shqipërisë përmes Planit Kombëtar të Pastrimit, që ka shënuar rezultate mbresëlënëse, duke sensibilizuar gjithnjë e më shumë qytetarë të përgjegjshëm që na janë bashkuar vullnetarisht në këtë nismë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi qytetarët të bashkohen sot në Ditën Botërore të Pastrimit

“Mirëmëngjes me ftesën për t’iu bashkuar sot Ditës Botërore të Pastrimit si vazhdim i një angazhimi të madh mjedisor që e kemi nisur që në nëntorin e vitit të kaluar me Planin Kombëtar të Pastrimit e që ka vijuar pa u ndërprerë në çdo cep të Shqipërisë me rezultate mbresëlënse në territore të pastruara e në qytetarë të përfshirë! Dhe po ashtu pa harruar thirrjen për të reflektuar me sjelljen tonë ndaj mjedisit, ujit e tokës, sepse s’kemi një të dytë”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Plani Kombëtar i Pastrimit rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe ka përfshirë të gjithë territorin./m.m/atsh