Në konferencën e përbashkët për shtyp të organizuar pas takimit të radhës mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismës për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, Kryeministri Rama tha se “kjo nismë përcakton qartë që cilido prej vendeve që do të eci më shpejt mund ta bëjë këtë pa qenë i detyruar të presi konsensusin sikur jemi një karikaturë e Këshillit Europian”.
“Pikërisht pse Procesi i Berlinit është një proces që pasi ka vendosur një kornizë vlerash dhe kriteresh ka mbetur në rrugë nga një samit në tjetrin çdo vit dhe çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nismë, e cila nuk është asnjë gjë tjetër veçse njësi e zgjatimit të Procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe njëkohësisht duke monitoruar zbatimin”, tha Rama.
Rama shtoi se “edhe në qëndrimin e sotëm të përbashkët kemi ripërcaktuar edhe njëherë për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë se “Ballkani i haour” është i hapur, gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, jo vetëm i Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë së Veriut”.
“Por, as këto vende që kanë vendosur të ecin më shpejt nuk do të presin që të binden gjithë të tjerët. Arsyet përse të tjerët janë skeptikë ose refuzues ndaj ‘Ballkanit të hapur’, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar edhe arsyet e Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe me shumë vëmendje arsyet e Kosovës. Më vjen shumë keq, por i konsideroj arsye të mosarsyes. Ju thatë se duket sikur ‘Ballkani i hapur dhe këto takime janë për inetersat ekonomike të këtyre vendeve… Pse çfarë ju duken juve interesat ekonomike të Shqipërisë, gjë e vogël?”, iu drejtua Rama gazetares.
Rama tha se “unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë”. “Për kë do jem, të Gjermanisë apo të Kinës? Dhe interesat ekonomike të Shqipërisë drejtpërdrejtë fuqizohen nga ‘Ballkani i hapur’”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “në dhjetor, kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur ne t’i dorëzojmë të gjithë tyre sipërmarrësve që takuam sot që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i Procesit të Berlinit, dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, kompanitë nga Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Kosova do vijnë para se të vijnë qeveritë e tyre të kërkojnë të përfshihen në gjithë rrjetin e lëvizjes”.
“Kjo ka absurditetin ballkanik brenda, por për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vende tona si kompani. Kjo nuk është një tek, një konspiracion apo vizion halucinant i yni. Kjo është një kërkesë ulëritëse e njerëzve tanë, e ekonomive tona, sipërmarrësve tanë, e fermerëve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm. Ne nuk mundet që gjithë këtë potencial të madh për të shtuar numrin e turistëve në Shqipëri që ka Ballkani, ta lëmë sikur nuk ezksiton. Jo, neve na duhet gjithçka për ekonominë tonë dhe ne do të bëjmë gjithçka patjetër. Ne do të bëjmë gjithçka për interesat ekonomike të Shqipërisë”, tha Rama.



























