ATSH/ Kryeministri Edi Rama foli sot për një ngadalësim të investimeve publike dhe private, pas rritjes me gati tre herë të lëndëve të para, si hekuri, pas 3 javësh të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Deklarata e kryeministrit Rama u bë gjatë një takimi me fermerë në Durrës për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale të miratuar nga qeveria.

“Ekonomitë sot janë të lidhura. Ndërsa ne bëjmë planet, ne nuk i kemi në dorë ngjarjet. Ndërsa ne përpiqemi me planet tona e punën tonë të ecim para më shpejt, vjen tërmeti dhe pandemia dhe sikur të mos mjaftonin këto të dyja, kemi pasojat e një lufte që zhvillohet diku tjetër por për shkak se ekonomia e sotme është e lidhur, ndihet edhe këtu si në të gjithë botën, siç ndihet edhe në Australi që nuk ka lidhje me kontinentet e tjera. Duhet të jesh shumë i vendosur që të mos shikosh e kuptosh të thuash se kjo ska lidhje. Sepse është e gjithë bota në këtë situatë, sepse në luftë ka hyrë një fuqi e madhe tregtare për shkak të faktit se zotëron një pjesë të konsiderueshme të burimeve natyrore të naftës, gazit dhe lëndëve të para, që nga hekuri e deri te drithërat si në Europë e më gjerë siç është Rusia dhe një nga prodhueset kryesore të drithërave, hekurit e lëndëve të para si Ukraina”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, këto janë dy tregje të rëndësishme që kanë çoroditur të gjithë botën.

“Sot që flasim ka ndaluar pjesa më e madhe e investimeve publike dhe private, sepse hekuri është rritur 3 fish. Sepse kontratat tona për tunelin e Llogorasë apo investime të tjera kanë vështirësi për të vazhduar, pasi do të falimentonin nëse do të vijonin të zbatonin kontratën”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se qeveria ndodhet para dy vendimmarrje, të shtojë financat apo tu kërkojë kompanive të ndalojnë deri sa situata të përmirësohet.

“Mirëpo të lësh investimet do të thotë të çosh në shtëpi mijëra njerëz dhe të heqësh dorë nga të gjitha taksat që do të marrësh nga ato investime dhe të pranosh se po futesh në një spirale rënie ekonomike, sepse janë investimet ato që rrisin ekonominë. Për të rritur pagat e pensionet na duhen të ardhura dhe këto vijnë nga investimet”, u shpreh ai.