ATSH / Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë një takim me përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve se është shumë domethënëse që konsumi nuk ka rënë.
Rama u shpreh se pensionistët do t’i mbështesë qeveria me një shumë që është e barabartë me rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë, por do i mbishtesë edhe biznesi me çmimet që do vendosë.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se, “unë besoj që kanë të drejtë ekspertët tanë, të cilët mendojnë se ky moment i parë alarmi që u krijua, ishte i paevitueshëm, por tani nuk mund të vazhdohet sikur asgjë s’ka ndodhur. Nuk mund të bëhet, asnjë lloj eksperimenti fitimprurës këtu me idenë që këta po vazhdojnë të blejnë”.
“Është shumë domethënëse për ne dhe duhet ta dinë të gjithë që konsumi nuk ka rënë. Është shumë domethënëse, që tregon diçka krejt tjetër nga propaganda e shfrenuar e mjerimit ekstrem. Por kjo nuk do të thotë aspak që situata është e tillë, ku ju mund të vazhdoni me këto çmime. Çmimet mund të rriten në vijim përsëri”, tha Rama.
“Dje kam qenë në një diskutim në zoom me disa të tjerë, jashtë vendit dhe ndër të tjera një parashikim i mbështetur në shumë argumente, asgjë nuk është 100% e sigurt, por në shumë argumente, është se bota mund të përballet me shokun më të madh të furnizimit të karburantit në tre mujorin e dytë dhe të tretë të vitit si rezultat i daljes jashtë të një shifre marramendëse barelash që furnizohet nga Rusia. Kështu që çdo gjë është e hapur, si mundësi”, theksoi Rama.
“Të tjerë thonë që bota mund të përballet me ripërsëritjen e krizës së vitit 1974, që ne që ishim atëherë këtu nuk e kemi pasur idenë se çfarë ka ndodhur në 1974 në botë, ku për shkak të OPEC-ut dhe të çështjes së furnizimit të naftës, çmimet në botë vajtën përtej çdo lloj tavani të imagjinueshëm. Këta janë skenarë të gjithë. Askush nuk e di të ardhmen sot, për shkak se askush nuk e di si vazhdon lufta”, shtoi Rama.
Ama, nënvizoi kreu i qeverisë, “sot për sot, kemi faktikisht detyrimin e përbashkët të gjithë ne si shqiptarë që të bëjmë secili të vetën. Dhe nuk mund të kërkojmë të bëjë të vetën një pensionist që ka nevojë për ato ushqimet bazë dhe që nuk ka asnjë mundësi që t’i zëvendësojë me asgjë tjetër, apo që nuk ka kursime të tilla që të mund të përballojë çmimet që vendosen në treg. Atë pensionist do ta mbështesim ne. Kush ne. Do e mbështesë qeveria me një shumë që është e barabartë me rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë, por do e mbështesni dhe ju me çmimet që do vendosni atje”.



























