ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kavajë, ku u dorëzuan edhe 206 banesat e bllokut të dytë, pas bllokut të parë të pallateve ku 153 familje hynë në shtëpi të re këtë vit të ri.
Rama tha se, Programi i Rindërtimit u ka shërbyer të gjithëve pa dallim, pa parë majtas apo djathtas dhe duke parë vetëm drejt, duke bashkuar forcat dhe duke i bashkuar të gjithë njerëzit në komunitete të reja.
Duke folur për rindërtimin në Kavajë, Kryeministri shtoi se këtu krijohet një zonë e dytë, një lagje e re, por ka akoma shumë për të bërë në pjesën tjetër të banesave ekzistuese.
“Ka mundësi për të krijuar terrene sportive, një mjedis shumë më tërheqës për fëmijët e të moshuarit në gjithë këtë territor”, tha Rama.
Rama tha se “është kënaqësi e jashtëzakonshme çdo vizitë në këto zona, lagje e vendbanime të reja të rindërtimit, pas kaq shumë pune të madhe të bërë me jo pak vështirësi dhe dhënia e çelësave për gjithë këto familje dhe për shumëkënd që me të drejtë ka qenë mosbesues e dyshues”.
“Dita e votimit është vetëm një, dhe janë 4 vjet nga një votim në tjetrin ku ne jetojmë së bashku, kemi sfida dhe halle të përbashkëta. Tërmeti ra si një fatkeqësi dhe brenda pak sekondash mijëra familje humbën shtëpinë. Ju keni qenë ndër ta dhe e mbani mend mirë se çfarë ankthi, pasigurie, ndjenjë humbje dhe pamundësie kishte në ato momente. U duk sikur çdo gjë mori fund. Të gjithë bënin pyetje se si do ngrihen nga e para dhe pakkush e besonte se jo vetëm do të hapeshin nga e para, por të gjithë ata që i humbën shtëpitë do të hynin në shtëpi më të mira, më të forta dhe në komunitete të tilla”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “i mbaj mend mirë fytyrat e atyre që dolën përballë komplet të tronditur dhe shpresëhumbur”.
Sot jo vetëm që këto banesa janë reale, por Rama shtoi se “të gjitha këto shtëpi janë tuajat, pronë e juaja me hipotekë dhe falas”. “Ju nuk keni asnjë detyrim financiar për të shlyer, sepse gjithçka është e pagur dhe e bërë gati që ju vetëm të keni mundësinë ta gëzoni shtëpinë tuaj të re”.
“Të tilla momente janë më të bukurat e një jete si e imja kushtuar politikës. Janë këto momente kur njeriu ndjen se politika ja vlen dhe pa të nuk mund të bëhen shumë gjëra të mira”, tha Rama.
Kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre që pretendojnë se këto apartamente u bënë me fondet e Konferencës së Donatorëve.
“Ka shumë të tjerë që thonë- ‘për çfarë shkoni ju atje, këto nuk i keni bërë ju, por i ka bërë bota, ata që ju kanë dhënë lekë dhe ju i keni vjedhur’. E vërteta është se të gjitha këto që ju shikoni deri më sot me përjashtim të 500 apartamenteve në Laç janë ndërtuar 100% nga buxheti i shtetit shqiptar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “është e vërtetë që ne kemi marrë një mbështetje të konsiderueshme në Konferencën e Donatorëve, por është po kaq e vërtetë që fondet e siguruara nga donatorët në radhë të parë nuk janë fonde që vijnë te ne”.
“Ato janë fonde që përdoren prej tyre dhe donatori më i madh në atë Konferencë ka qenë BE që po vazhdon fazën e dytë të rindërtimit të shkollave. Ato janë para të BE-së. Ndërkohë që fazën e parë të rindërtimit të shkollave e kemi kryer ne me buxhetin e shtetit”, tha Rama.
Kryeministri tha se “ka edhe projekte të tjera të donatorëve që vazhdojnë si ujësjellësi në Durrës, zonat e trashëgimisë kulturore e të tjera apo projekti i apartamenteve në Spitallë për lagjen e re të Durrësit që financohet nga Princi i Kurorës i Emirateve të Bashkuara”.
“Por punën e deritanishme dhe gjithë çfarë keni parë deri tani e kemi bërë me financim të buxhetit të shtetit pasi donatorët thanë se nuk financojnë shtëpi, përjashto Presidentin e Republikës së Turqisë dhe Princin e Kurorës, dy miq të shtrenjtë që u gjendën në atë moment dhe e mbajtën fjalën. Njëri e mbylli ndërtimin dhe tjetri i vazhdon. Asnjë fond tjetër nuk është dhënë për shtëpi. Të gjitha shtëpitë i ka pasur detyrë dhe i ka realizuar dhe po i realizon deri në fund qeveria shqiptare”, tha Rama.
Ndërsa zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj theksoi se Shqipëria po kalon tani krizën e tretë pas tërmetit dhe pandemisë, që ka të bëjë me gjithë pasojat e luftës në Ukrainë, rritjen e çmimeve dhe mungesat në gjithë botën.
“Imagjinojeni që atë ditë që ra tërmeti të ishim me një kryeministër dhe qeveri tjetër. Realisht, kryeministri dhe kjo qeveri ju ka premtuar që ditën e parë se nuk do lëmë asnjë vetëm dhe sot dua të kujtoj se asnjë nga ju nuk ngeli vetëm. Kryeministri u gjet çdo ditë dhe së bashku do ta kalojmë edhe këtë krizë të re, si kaluam dy të tjerat”, siguroi Ahmetaj.



























