TIRANË, 10 prill /ATSH/ Shqipëria tashmë është shndërruar dhe në vendin e turizmit elitar ku portet e vendit tonë po mirëpresin kroçerat luksoze me turistë të huaj që vizitojnë vendin tonë si një nga destinacionet e preferuara turistike.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të kroçerës turistike “E bukura e Adriatikut” e cila është ndaluar në Durrës, në portin më të madh dhe të rëndësishëm të vendit, që pas disa vitesh do të jetë edhe porti më i bukur i Mesdheut, përmes investimit të ri që do të kryhet aty.
“Ja edhe “E bukura e Adriatikut” ndalon në Durrës për të lajmëruar afrimin e sezonin më të bukur e më të pastër turistik. Tani parafytyrojeni çfarë mrekullie do të jetë, kur pas disa vitesh edhe porti të jetë “I bukuri i Mesdheut””, tha Rama.
Kroçera ““La Belle De L’Adriatique” solli dje 81 turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë vijuar itinerarin e planifikuar për në destinacionet turistike të Durrësit, Krujës dhe Tiranës.
“La Belle De L’Adriatique”, e cila prej disa vitesh është bërë pjesë e guidave turistike detare drejt Durrësit, mbërriti mesditën e djeshme dhe u ankorua në kalatën nr.4 të portit më të madh në vend.



























