ATSH/ Kryeministri Edi Rama shpjegoi sot masat që janë marrë në lidhje me çmimet e naftës dhe se cilat janë kategoritë që po mbron shteti.
Përfaqësues të fermerëve të vendit, ishin të pranishëm në Katund të Ri, në Durrës, të cilët komunikuan me Kryeministrin për pikat e paketës së Rezistencës Sociale dhe ndikimin që do të ketë mbi ta kriza e çmimeve.
Rama tha se ajo që po bën Shqipëria nuk e ka bërë asnjë vend akoma, duke shpjeguar dhe se si është gjendja e reshjeve në vend për të prodhuar energji.
“Franca pashë që po bën një kompensim, por jo të plotë, ne po bëjmë kompesim të plotë të energjisë. Ne Zoti na ka dhënë lumenjtë dhe mund të prodhojmë energji, por për 3 vjet rresht kemi reshje të ulëta, madje shumë të ulëta, që do të thotë se aty ku ne prodhojmë energji, digat janë nën nivelin teknik.
Tani duhet të stopojë prodhimi sepse nëse digat zbrazen komplet, duhet ndaluar prodhimi. Por nuk duhet të ndalojnë dritat këtu, prandaj duhet ta blejmë nga jashtë dhe atje është me çmime marramendëse. Ne jemi futur në këtë rrugë prej disa muajsh, jemi në mars, kriza ka filluar të japë shenja shqetësuese prej disa kohësh dhe tani që jemi në mars, vapën dhe thatësirën i kemi përpara” tha Kryeministri.
Po ashtu, Rama tregoi se përse blihet energjia elektrike jashtë dhe se si shteti mbulon pjesën e shpenzimeve që do i duhej të paguante qytetari.
“Duhet të blejmë energji me buxhetin e shtetit me çmime marramendëse që mos të vijë te ju. Janë rritur kostot jam dakord me ju, i vetmi shkak për rritjen e tyre është kriza e përgjithshme, por cili nga ju do pranonte t’i vinte fatura 2-fish apo 3-4-fish në disa raste” shtoi Rama.
Më pas Kryeministri shpjegoi edhe masat që janë marrë në lidhje me çmimet e naftës dhe se cilat janë kategoritë që po mbron shteti.
“Ndërkohë që për ju nafta është e rëndësishme patjetër, makinat janë të rëndësishme për të dalë, por për të punuar këtu, jo për të udhëtuar. Hiqni taksat e naftës është e thjeshtë të thuhet, por nëse bëjmë këtë nuk kemi me çfarë të kompensojmë pjesën tjetër. Nga taksat e naftës goditen ata që kanë vetura, por ata kanë më shumë lekë. Goditen ata që marrin autobus, por për ata po ndërhyjmë ne që mos të rritet çmimi. 100 lekë për litër karburanti do e paguajmë ne. Atëherë 500 milionë, domethënë 5 milionë dollarë, që shkojnë 1.4 miliardë janë para që do i paguajmë ne që fermerët të marrin naftë pa taksa. Deri më 30 janë hapur aplikimet dhe të gjithë atyre që aplikojnë do t’i japim naftë që të vazhdojnë të punojnë” deklaroi Rama.



























