ATSH/ Puna në kantierin përgjatë gjurmës së lumit Gjanica, për ta transformuar atë në një mushkëri të gjelbër e vlerë të shtuar për mjedisin dhe jetën komunitare, po vijon me ritme të shpejta.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të kantierit të ndërtimit.
“Kantieri i fazës së dytë të transformimit urban e mjedisor në qendër të Fierit, përgjatë gjurmës së lumit Gjanica që po kthehet nga një hall i madh dhjetravjeçar i komunitetit, me përmbytjet e pisllëqet e mbledhura në zemër të qytetit, në një mushkëri të gjelbër e vlerë të shtuar për mjedisin dhe jetën komunitare”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Rehabilitimi i lumit Gjanica, që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit, mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.



























