Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se, qëndrimi i mazhorancës lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të drejtësisë, mbetet një qëndrim i pandryshuar.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama u shpreh se, “ky është një takim jashtë radhe i grupit me kërkesë me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, gjë që e kemi pranuar për faktin se të gjithë jemi në njëfarë mënyre befasuar që kryetarja e Komisionit të ligjeve figuron në atë aktakuzën thuajse 400 faqe të kryetarit të bashkisë dhe bashkëshortes së tij, ndërkohë që kryetarja e Komisionit të Ligjeve e ka marrë vesh përfshirjen e saj në këtë aktakuzë si një person i dyshuar nga televizori. As nuk është thirrur, as nuk është pyetur, as nuk është dëgjuar versioni i saj”, tha Rama.
Rama theksoi se, “qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të drejtësisë, të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit mbetet një qëndrim i pandryshuar, ajo që ndryshon është që ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjesht me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe me garantimin e standardeve demokratike të çdo procesi”.
Në të kundërt, shtoi Rama, “ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhmen, sepse diktaturë apo republikë hetuesish Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është një republikë parlamentare ku në bazë të Kushtetutës pushtetet janë të pavarura, pra nuk është vetëm drejtësia e pavarur nga legjislativi dhe nga ekzekutivi, por është edhe legjislativi dhe ekzekutivi të pavarur nga pushteti i drejtësisë. Janë tre pushtete që operojnë në kornizën e tyre kushtetuese”.
“Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit e cila funksiononte përmes diktaturës së hetuesve. Sot kjo është në letër, kjo duhet të jetë dhe në realitet. Dhe këtu kemi një problem”, tha Rama. /j.p/atsh