ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria, edhe në ditën e vet më të mirë nuk ka mundësi ta prodhojë të gjithë energjinë që konsumon.

Në një takim me dhomat e biznesit mbi rekomandimet e tyre për përmirësimin e klimës, Rama u shpreh se, “Shqipëria nuk prodhon, edhe në ditën e vet më të mirë, edhe në vitin 2011, që ka qenë viti me reshjet më të larta, Shqipëria nuk e ka prodhuar, sepse nuk e ka mundësinë ta prodhojë të gjithë energjinë që konsumon”.

“Pra, Shqipëria nuk është e pavarur në aspektin e burimeve të veta energjetike. Dhe ky nuk është opinion, është fakt i bazuar në shifra”, theksoi Rama.

Kjo, nënvizoi kreu i qeverisë, “është arsyeja pse Shqipëria duhet të dalë në treg. Kjo është arsyeja pse Shqipëria në momentin që del në treg duhet t’i nënshtrohet logjikës së çmimeve, të rritura në mënyrë katastrofike në tregun ndërkombëtar”.

“Ajo që ne po bëjmë dhe që nuk është bërë kurrë në të kaluarën është pikërisht zbatimi hap pas hapi i një programi për ta pavarësuar Shqipërinë në aspektin energjetik dhe për ta kthyer Shqipërinë brenda vitit 2030 në një eksportues neto të energjisë, pra në një vend që nuk do paguajë më asnjë euro për të blerë energji, por vetëm do të fitojë nga shitja e energjisë përtej nevojave të veta. Ky është objektivi”, theksoi Rama

Për këtë arsye, shtoi ai, “po ecim me ndërtimin e Skavicës. Mungesa e Skavicës është një nga arsyet që ne nuk jemi të pavarur. Nuk është e vetmja, që ne nuk jemi të pavarur në aspektin energjetik. Këtë nuk e kisha dëgjuar kurrë që ne paskemi 20% më shumë kapacitete të instaluara sesa nevoja, sepse kjo nuk ekziston. Ne kemi goxha më pak sesa nevoja. Me Skavicën ne do të arrijmë të optimizojmë kaskadën tonë kryesore dhe do të garantojmë që nuk do të derdhim ujë nëpër fusha kur diga vihet në rrezik për shkak të mbushjes dhe kalon nivelin teknik të lejuar. Dhe nuk do dalim aq sa dalim në tregun ndërkombëtar në periudhën e thatë sepse do të përdorim ujin e mbledhur gjatë dimrit, me shpresën që do të kemi vite të lagështa”.

“Sivjet, prapë dhe ky është fakt s’është opinion, është viti i 4-t radhazi me efekt negativ në aspektin e reshjeve gjë që përsëri ndikon në balancën tonë energjetike dhe nga ana tjetër ne jemi të vetëdijshëm që vetëm me hidron ne nuk ia dalim dot. Edhe vetëm me Skavicën nuk ia dalim dot. Për këtë arsye po investojmë në energji diellore. Për këtë arsye kemi hapur dhe ankandin e parë të ERE-s, ku kemi pasur dje dhe rezultatin e parë inkurajues me pjesëmarrje të disa kompanive të mëdha ndërkombëtare. Në mënyrë që të diversifikojmë”, tha Rama.

“Për këtë arsye po nxisim edhe investimet private në fushën e energjisë diellore. Jemi duke ecur shumë mirë për një marrëveshje të madhe me kompaninë “Total”, pasi kemi bërë marrëveshjen me Voltalian për 2 parqet fotovoltaike”, u shpreh Rama.

“Për këtë arsye kemi sjellë dhe sot janë në brigjet e Vlorës, barxhet për prodhimin e energjisë me anijet që do të qëndrojnë atje, në mënyrë që të rrisim volumin dhe në mënyrë që të ulim sasinë e importit”, vijoi Rama.

“Dhe për këtë arsye edhe po ecim me projektin e gazit të lëngshëm, ku kemi të angazhuar “Exxon Mobil”, kemi të angazhuar “Excelerate Power” nga SHBA. Kemi po ashtu angazhimin e kompanisë së madhe publike spanjolle e kështu me radhë.

Të gjitha këto përfshirë edhe gazsjellësin Jonian Adriatik, për të cilin po punojmë me Azerbajxhanin dhe me BE, do ta çojnë aty ku disa çuditërisht mendojnë që jemi. Nuk jemi ne aty. Për këtë arsye ne na kushton energjia si frëngu pulën”, tha Rama.

“Dhe falë menaxhimit shumë të mirë ne kemi arritur të balancojmë deri diku goditjen e jashtëzakonshme financiare. Sepse jemi akoma një vend dhe jemi i vetmi në dijeninë time që as nuk ka rritur çmimin, as nuk ka program kufizimesh. As nuk e ka rritur çmimin për familjarët dhe për bizneset e vogla dhe as nuk do ta rrisim shpresoj, që të mund ta mbajmë këtë deri në fund, pavarësisht se fundin nuk ia dimë kësaj krize. Dhe as nuk kemi program kufizimesh. Dhe në fund do të kuptojmë nëse kjo është ambicie dhe kurajo apo nëse kjo është një çmenduri. Por mbetet për t’u parë. Ama ne nuk mund dot, për sa kohë mund ta mbajmë, s’mund dot që t’ia ngarkojmë këtë barrë konsumatorëve familjarë dhe pensionistëve dhe bizneseve të vogla”, nënvizoi Rama.

“Kjo është logjika dhe për këtë arsye, sot që flasim po i afrohemi 400 milionë eurove mbështetje, që janë një shifër shumë e rëndë për këllqet e Shqipërisë”, theksoi Rama. /j.p/