Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste prezantoi sot para të rinjve të Elbasanit, skuadrën e re të kandidatëve të Partisë Socialiste për këtë qark.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama u shpreh se tanimë është koha për t’i dhënë gjithnjë e më shumë zë atyre që janë më të rinj dhe që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës.
“Duhet t’i japim zë atyre që kanë dëshirë të thonë fjalën e tyre dhe nga ana tjetër kanë edhe këmbënguljen të dëgjohen për fjalën që thonë. Jam shumë i lehtësuar që pas një përpjekjeje jo të shkurtër, e kemi nisur që në shtator këtë proces me drejtuesit politik, ne kemi arritur t’i japi shqiptarëve kudo ku janë në Shqipëri apo jashtë, në çdo qark, bashki apo komunitet një mundësi zgjedhjeje që nuk e ka pasur më parë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo do të jetë jo vetëm skuadra jonë përfaqësuese e mandatit të katërt, por do të jetë edhe PS e vitit 2030.
“Një nga deputetët tuaj në Kuvend do të jetë Bora, por mos harroni, kijeni parasysh që 4 vite më parë Bora ishte si një prej jush që konkurruan përmes platformës së deputetit që duam dhe nuk shkoi në Kuvend. Megjithatë filloi një rrugëtim dhe sot ajo vjen pa asnjë eksperiencë në një rrugë të filluara nga një aplikim, me shpresën se aplikimi nuk ishte thjesht një lojë nga ana jonë, por ishte një mundësi reale”, tha Rama.
Rama siguroi se “mundësitë e shtuara për ata që janë më të rinj janë sot qëllimi im më i madh në mënyrën se si unë besoj se PS duhet të ecë para me sukses duke fituar, qeverisur por edhe duke ndryshuar dhe përgatitur kalimin e stafetës nga një gjeneratë tek tjetra”.
Sepse, theksoi Rama, “kjo nuk është një zgjedhje si zgjedhja e një kontesti bukurie, as si zgjedhja e një gare se kush është më i riu, kjo është një zgjedhje për të vendosur se kush do të qeverisë Shqipërinë, kush do të administrojë punët e përbashkëta të vendit. Dhe aq sa është e rëndësishme që të ketë shumë të reja dhe të rinj siç kemi ne në skuadër”.
“Dhe ne të rejat dhe të rinjtë nuk i kemi si dekor. Nuk i kemi as si mbulesë me lule të një tavoline të vjetër. Nuk i kemi lënë të gjithë në fushën e betejës duke kyçur brenda në listat e mbyllura të gjithë ata që në fakt janë në një masë të madhe në rastin tonë, në fushë të betejës”.
“Unë bashkë me pak të tjerë jemi në listat e mbyllura, për arsyen e thjeshtë sepse donim që të mos zinim të gjitha hapësirat e garës”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “është e sigurt që sot një pjesë e atyre që janë në listën e parlamentit të ardhshëm, siç është Adi këtu për shembull, janë deputetë”.