TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Muzeu Kombëtar “Onufri” në kalanë historike të Beratit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Muzeu, i cili mban emrin e ikonografit të pavdekshëm Onufri.
“Muzeu që mban emrin e ikonografit të pavdekshëm shqiptar, Onufri, e që brenda mureve plot histori mban 2,000 objekte të përzgjedhura nga kishat dhe manastiret e rrethit të Beratit, duke mirëpritur numrin rekord të mbi 30,000 vizitorëve gjatë pesëmujorit të parë të vitit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Muzeu, i vendosur në ambientet e Kishës së Shën Mërisë në kalanë historike të Beratit, ruan mbi 2,000 objekte të përzgjedhura me kujdes nga kishat dhe manastiret e zonës. Në këto objekte përfshihen ikona, libra liturgjikë, relike dhe objekte të tjera me vlerë artistike dhe fetare.
Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, muzeu ka mirëpritur një numër rekord vizitorësh, duke tejkaluar 30,000 vizita – një tregues i rritjes së interesit për trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor në Shqipëri. /j.p/