Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka përcjellë sot fotoalbumin e këtij samiti, duke e etiketuar atë si “fotoALBUMIN e mikpritjes shqiptare për Europën”.
Pas ceremonisë së mikpritjes në sheshin “Skënderbej” nga Kryeministri Edi Rama dhe eventit hapës së këtij forumi të rëndësishëm në Teatrin e Operas dhe Baletit, liderët pjesëmarrës në Samitin e VI të Komunitetit Politik Europian bënë edhe foton familjare, sipas protokollit zyrtar të këtij forumi.
Fotoja familjare e liderëve pjesëmarrës në Samitin e VI të Komunitetit Politik Europian u bë para Shtëpisë së Europës nën monumentin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Liderët europianë u zhvendosën më pas brenda ambienteve të Shtëpisë së Europës, ku zhvilluan punimet edhe katër panelet kryesore të këtij samiti. Fillimisht ata firmosën logon e këtij samiti të vendosur në hyrje të sallës ku u mbajtë ky forum.
Ceremonia e mirëseardhjes në samit u shoqërua nga performanca të ndryshme artistike, promovuese të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Samiti vijoi punimet me seancat plenare dhe tryezat e diskutimeve. Kryefjalë e punimeve ishte situata në Ukrainë, riarmatimi i Evropës, por edhe zgjerimi i BE. Gjatë samitit u mirëprit ideja e propozuar nga kryeministri Edi Rama për ngritjen e një grupi drejtues të komunitetit politikë evropian, i cili do të jetë nën vëzhgimin e Presidentit të Këshillit të Evropës.