ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga malësitë e Tepelenës, duke i cilësuar si fantastike.
“Pamjet fantastike nga malësitë e Tepelenës”, shprehet kryeministri në postimin e tij, i cili shoqërohet me një video që pasqyron bukuritë natyrore të zonës.
Malësitë e Tepelenës janë ndër zonat më të bukura malore të jugut të vendit, të njohura për peizazhet piktoreske dhe potencialin e lartë turistik.
Tepelena ndodhet në krahinën e Dervenit, në jug të Shqipërisë. Ky qytet përshkohet tej për tej nga lumi Vjosa dhe kufizohet në pjesën verilindore me malin e Shëndëllisë, në pjesën qendrore me malet e zonës së Kurveleshit, ndërsa më në jug me malin e Golikut, grykën e Mezhgoranit, që ndan si me thikë vargmalet Shendëlli – Lunxhëri – Bureto dhe Trebeshinë – Dhembel – Nemërçkë. Lumi i Vjosës, nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, me degën e tij Drinos krijojnë një peizazh madhështor të preferuar nga turistë të huaj dhe vendas.
Ky qytet është në një pozicion strategjik e spektakolar me muret e saj kapur në anët shkëmbore, kurorëzuar nga kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Përtej këtij qyteti të vogël, por historikisht interesant, gjenden fshatra me histori ashtu sikurse edhe malësia e Kurveleshit, përgjatë një rruge malore të pyllëzuar, ku mund të shihni edhe ujësjellësin e Aliut në Bënçë.
Tepelena është një vendbanim i hershëm, që lidhet me ndërtimin e një kështjelle në shek. VII, të ngritur në këtë pikë strategjike në kryqëzimin e rrugëve të Vjosës, grykës së Këlcyrës, Drinosit dhe Mallakastrës.. Në vitin 1789, qyteti u udhëhoq nga Ali Pashë Tepelena, i cili ngriti sarajet e tij, të cilët mbeten një nga atraksionet më të vizituara të këtij qyteti.
Uji i Ftohtë në Tepelenë, nuk është vetëm një destinacion turistik, që të drejton drejt jugut të Shqipërisë, po edhe një aset i traditës, i cili vijon të ngjallë kureshtje për adhuruesit e natyrës dhe turistët.
Kultura e Tepelenës është mbresëlënëse pasi ajo përmbledh të gjitha trevat që gjenden në të djathtë të luginës së lumit Vjosa dhe krahinën e Labërisë.
Turistë vendas e të huaj kanë zgjedhur Tepelenën gjithnjë e më shumë si destinacionin e tyre turistik. Atraksionet janë: Lumi i fundit i egër i Europës, mbretëresha e lumenjve Vjosa; Kalaja e Ali Pashë Tepelenës; Ujësjellësi i Aliut në Bënçë; Uji i Ftohtë; Kanionet dhe Ujëvara e Nivicës; Vende të shenjta si xhami, kisha dhe teqe.
/a.f//r.e/