Së pari, sipas Ramës, “funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë, tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrsesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton”.
Së dyti, vuri në dukje Kryeministri, “nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”.
“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, shkroi Rama, duke iu referuar mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS-së.
Kryeministri shtoi se SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet.
“Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken, vetëm garantohen”, përfundon Rama.
/gj.m/j.p/r.e/

























