“Brenda nesh ka një shpirt që është shpirti europian i shqiptarit. Dhe ai shpirt mund të materializohet në një identitet europian jo vetëm me zakon, por edhe me ligj, jo vetëm me histori, por edhe me vendim, me vendimin që duhet të marrim ne në 11 maj dhe që duhet t’ia imponojmë Europës dhe Shqipëria të ulet si zonjë në sallonin e madh të shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, tha Rama.

 

Duke u ndalur te gjuha e përdorur në fushatë nga drejtuesi politik demokrat i qarkut, Tomor Alizoti, Rama tha se “sot paradite shkova në Librazhd dhe pata një moment që më kapi “frika” kur po i afrohesha Librazhdit. Më kapi frika, se thashë mos më ha Tomor Alizoti të gjallë. Mirëpo shkoj edhe atje gjej lumë, shiko andej-këtej gjithë frikë, s’e pashë asgjëkundi “Ludovikun”. Tani që ju shikoj juve them me vete: e kupton more Tomor se çfarë do të hash të gjallë ti?! Ka një fjalë populli shqiptar: “Tafmaja e madhe të lë pa gjë”, por me sa shikoj unë tafmaja e madhe ty do të lërë pa zë”.

 

“Tomor, ke gjetur vendin, njerëzit dhe forcën më të gabuar për t’u ngatërruar. Më del para syve Tomori dhe e mendoj më datë 12, ndërkohë që Tomori nuk e mendoi dy herë kur e sollën këtu, që këtu ishte Luçiano “fake” Pavaroti. A ju kujtohet kur thoshte: “Erdhi fundi, edhe pak ditë”, dhe pastaj doli gjithë ai burrë dhe tha: “Na i vodhi votat elektronika”. E çuan në Shkodër, aty ku i kanë dëgjuar operat para të tjerëve, çuan Luciano “fake” Pavarotin dhe këtu sollën Tomorin. Më thotë dot dikush se çfarë duhet të bëjnë demokratët e Elbasanit, qytetarët me këtë tallje të madhe, çfarë duhet të bëjnë? Ndërkohë që këtu, ky shesh është dëshmitar i një “therje” të madhe, e therën gjelin e detit të Peqinit, e therën se fluturoi lart, fitoi primaret Dashi. Mirëpo nuk është në asnjë vend, e hëngrën, e therën, po dashi nuk është zog kënete, ka shtatë shpirtra”, nënvizoi Rama.

 

Kryeministri Rama tha se “çfarë të bëjmë ne që të shpëtoni nga ai makth, të dilni nga ajo kënetë. Këneta nuk do asgjë dhe askënd, që nuk është komplet i gatshëm të bëjë “kua kua kua”. Kush ka pak më shumë zë, pak më shumë mend, pak më shumë ego dhe mbi të gjitha dhe kush ka pak më shumë përkrahje, nuk i duhet kënetës. Këneta është mbretëria e bufit”, theksoi Rama.