/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Hagë – Për vizitë tek Presidenti Thaçi”, shprehet Rama, i cili ka publikuar edhe një video nga momenti i hyrjes në burgun e Hagës, Haaglanden.

Ish-presidenti i Kosovës është paraqitur sot në seancën e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Burgu ku po mbahen ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjendet jashtë Hagës, në periferi të Scheveningen-it.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre shtrihet në kohë midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se, ish-krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën. /a.a/