ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti në Romë, Itali, për një vizitë zyrtare, ku në qendër të vëmendjes do të jetë njohja e pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në shtetin fqinj.

Rama u prit me një ceremoni zyrtare në Palazzo Chigi në Romë nga kryeministri i Republikës së Italisë, Mario Draghi. Pas ceremonisë Rama do të zhvillojë një takim me kryeministrin italian.

Në konferencën e sotme për shtyp, Kryeministri Rama bëri të ditur se “tema e njohjes së pensioneve të bashkëqytetarëve tanë në Itali, do të jetë në qendër të bisedimeve për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë”.

“Njohja e pensioneve me Italinë është një proces që e kemi filluar prej kohësh, është i vështirë. Kemi bërë një sërë marrëveshjesh të njohjes së pensioneve me një sërë shtetesh, që ka nisur si proces me qeverinë tonë se në këtë fushë gjetëm një tokë të shkretë”, tha Rama.

/k.s/j.p/