Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Open Roads: Balkans Back in Business”, që po zhvillohet në Sllovaki.
Në fjalën e mbajtur në këtë panel, Rama tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor procesi i negociatave të anëtarësimit do të kërkojë kohë, ndërsa shprehu bindjen se ky proces nuk duhet nxituar dhe duhet të jetë sistematik dhe i konsoliduar.
Por, vijoi ai, “ne duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, nëse nuk duam ta shohim Ballkanin Perëndimor të kthehet pas sërish”.
Rama kujtoi situatën që ndodhi në Evropë dhe brenda shteteve të BE-së në përgjigje të krizës së madhe që goditi Evropën, pasi sipas tij, “kjo shpjegon atë hendek të jashtëzakonshëm mes shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Duke folur me gjuhën e shifrave, Rama tha se midis vitit 2020-2021 mes dy paketave shumë të mëdha që ishte Instrumenti për Rimëkëmbjen dhe Rezistencën e BE-së, 47,5 miliardë euro plus 672 miliardë euro për shtetet anëtare që dha BE, për të 6-ta vendet e Ballkanit Perëndimor u dhanë 1 miliard euro mes të cilave 500 milionë euro në grante dhe 500 milionë euro në hua.
“500 milionë euro në grante ishin mbështetje e drejtpërdrejtë për problemin tonë të përbashkët nga të cilat Shqipëria mori 85 milionë euro, që në fakt ishin rishpërndaje e fondeve të IPA-s. Ajo që duhet të merrnim nga fondet IPA për projekte të caktuara u riorientua nga ky buxhet. Nuk po them se nuk ishte gjë e mirë, por ishte rishpërndarje”, theksoi Rama.atsh



























