ATSH/- Duke nisur nga data 1 maj 2022, 95% të shërbimeve të administratës do të ofrohen online, duke mbyllur sportelet për marrëdhëniet fizike me qytetarët në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe të transparencës.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se edhe në zyrat e Hipotekës do të marrin fund radhët.

Rama nënvizon se duke nisur që nga 1 maji të gjitha shërbimet e Hipotekës do të ofrohen me vulë elektronike Online në portalin unik qeveritar e-Albania

“MIRËMËNGJES, dhe me lajmin e mirë se nga 1 Maji marrin fund njëherë e mirë radhët e streset në zyrat e Hipotekave, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Që me nisjen e revolucionit digjital platforma qeveritare e-Albania nga 14 shërbime që ofronte dikur online, sot mundëson 1225 shërbime publike ose 95% të tyre.

Në total janë 2,5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, që marrin shërbime të përditshme, ku mesatarisht brenda një dite pune u shërbehet rreth 2,000 qytetarëve dhe ofrohen rreth 50,000 shërbime.

Suksesin e këtij transformimi e kanë konfirmuar institucione dhe raporte ndërkombëtare si BERZH, Sigma, DASH, OKB dhe BE që rendisin Shqipërinë të parën në rajon për digjitalizimin dhe qeverisjen digjitale.

Ky proces nisi duke digjitalizuar një më një shërbimet online e deri tek vula elektronike dhe nënshkrimi elektronik, ku deri më tani janë gjeneruar 18 milionë dokumente me vulë elektronike.

Ambicia e Qeverisë është që brenda vitit 2023 procesi i punës brenda administratës të kalojë pa letër, përmes një sistemi të qendërzuar.

Në katër vite e gjysmë, platforma e Bashkëqeverisjes ka trajtuar drejtpërdrejt 153,469 probleme të qytetarëve në raport me shërbimet publike, duke dhënë përgjigje në kohë reale dhe duke u dhënë zgjidhjen finale mbi 61% të tyre.