Në konferencën e përbashkët për shtyp të organizuar pas takimit të radhës mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismës për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, Kryeministri Rama tha se “në dhjetor, në Tiranë, jemi angazhuar që të japim rezultate konkrete e nga janari, në kufijtë e vendeve, të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, për distributorët, për fermerët”.

“Sot e kam shpjeguar që të gjithë fermerët që e kanë të lidhur produktin, prodhimin e tyre me eksportin e që kanë pjesë të hapësirës ku eksportojnë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, janë mbështetësit më të mëdhenj të ‘Ballkanit të Hapur’”, tha Rama.

Prandaj, vijoi ai, “Ballkani i Hapur” është padiskutim një nismë në shërbim të njerëzve, në shërbim të mirëqenies ekonomike, të mirëqenies shoqërore të këtyre popujve që përtej të gjitha problematikave e përtej të gjitha mosdakordësive që mund të jenë pjesë e jetës sonë të përbashkët sot, meritojnë të jetojnë më mirë, meritojnë të kenë një hapësirë shumë më të madhe lëvizjeje dhe ndërveprimi në favor të mirëqenies së tyre.

Rama tha se “në jetën reale, e cila zhvillohet jashtë vëmendjes së kamerave ka ndërveprim të vazhdueshëm mes njerëzve realë që punojnë, që prodhojnë, që grumbullojnë, që transportojnë dhe që tregtojnë”.

“Këta njerëz vuajnë, vuajnë në mënyrën më kuptimplotë të fjalës peshën marramendëse të kufijve, peshën marramendëse të dy, tre , katër palë burokracive. A mundet dot të vihet në diskutim e drejta e tyre që të mund të punojnë normalisht, që të mund të tregtojnë normalisht për shkak se dikush në kolltuk në një studio televizive terrorizon për Ballkanin e Hapur, për Bashkimin Europian, për luftën dhe për paqen? A mundet dot që e drejta e atyre, që lënë fëmijët në gjumë në mëngjes, i puthin në gjumë dhe dalin që në katër të mëngjesit për të nxjerrë nga toka prodhimet që do të eksportojnë dhe i gjejnë fëmijët në gjumë kur kthehen, të mohohet sepse dikush tjetër nuk do të dijë fare për këtë pjesë, është i gatshëm ta izolojë komplet popullin e tij dhe bën teori për nuk e di se çfarë, siç ka ndodhur me vite e vite të tëra”, tha Rama.

A mundet dot, vijoi ai, “që të gjithë këta njerëz, që nga Konispoli, është pika fundore e Shqipërisë për ata që nuk e dinë, në kufij me Greqinë, dhe janë pjesë e grupit të interesit që kërkon Ballkanin e Hapur sepse për të shkuar dhe për t’i çuar bostanë, mandarinat, luleshtrydhet dhe plot prodhime të tjera që ata bëjnë në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, në Bosnje, ju duhet të bëjnë rrugën e Magelanit”.

“Është me lehtë  të shkosh në Australi me avion sesa të shkosh në Bosnje me makinë, shto dhe orët e kontrolleve. Janë 14 orë rrugë nga atje ne Bosnje dhe kur shkojnë në kufi me bostan, derisa të hapet kufiri bostani bëhet frut i thatë, hurmë Arabie. Unë e di që në Bosnje i pëlqejnë, por çështja është që ata tregtojnë bostan. Për me tepër mundet dot ne tani që të vazhdojmë të merremi me seksin e engjëjve si ata priftërinjtë kur po rrëzohej Kostandinopoja dhe të presim që në Bruksel në Berlin kudoqoftë të kuptojnë se çfarë është Ballkani i Hapur, kur ata e kuptojnë shumë mirë se çfarë është  Ballkani i Hapur? Imagjinoni tani këto që flas dhe këto që u thanë këtu e që u diskutuan me kompanitë këtu se nga Serbia, nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria, lidhen me vepra që i kemi pasur në tavolinë në procesin e  Berlinit para tre-katër a pesë vitesh kanë qenë aty të gjitha të bëhet kjo, të behet kjo”, shtoi ai.

Kur vjen puna për Kosovën, Kryeminstri theksoi se “është e thënë e rithënë e stërthënë publikisht, edhe këtu, edhe në çdo takim që unë bëj me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, është që të treja vendet, pa dallim, janë të ftuara të vijnë e të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre”.

“Pastaj çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet dhe rrugën e vet. Ama, një gjë duhet ta dini të gjithë, është bindja ime. Nëse të gjashta vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën, edhe për Bosnjën do jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet e tjera.  Më japin leksione herë pas herë dhe më tregojnë Gjermaninë dhe Francën, kur unë u tregoj Gjermaninë dhe Francën dhe them që shqiptarët dhe serbët janë për Ballkanin si francezët dhe gjermanët për Europën dhe ia kanë borxh gjeneratave të tjera sot që të bëjnë për Ballkanin dhe mes tyre, atë që bëjnë gjermanët dhe francezët, më tregojnë histori që nuk janë të vërteta. Gjermania dhe Franca nuk e filluan nga fundi, e filluan nga bashkëpunimi ekonomik, e filluan nga marrëveshja e çelikut dhe qymyrit, nga marrëveshja për shkëmbimet e të rinjve, e filluan nga lehtësimi i punës së sipërmarrjeve, e filluan aty ku i dhimbte popullit pas lufte, tek buka dhe pastaj panë që bashkë janë shumë më mirë seç ishin kur ishin duke u përplasur me njëri-tjetrin”, tha ai.

Duke iu referuar deklaratës së Vuçiç, Rama tha se “më vjen mirë që Presidenti këtu e nënvizoi, që këtu nuk ka kufizim për askënd”.

“Për të folur për të gjitha liritë e BE, lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, shërbimeve të mallrave, të gjithë janë të ftuar të vijnë. Pastaj, për Malin e Zi, ata presin të hyjnë në Bashkimin Europian vitin tjetër, këtë gjë ma ka thënë Kryeministri dhe unë e mirëkuptoj, dhe i kam thënë kryeministrit të Malit të Zi “Vitin tjetër ju prisni të hyni në Bashkimin Europian dhe po u futët në Bashkimin Europian, ne do ju kemi një avokat më shumë që ta mbroni Ballkanin e Hapur si anëtare të Bashkimit Europian”. Të shohim a do futen në Bashkimin Europian vitin tjetër apo jo. Unë iu uroj vërtetë që ta fusë Bashkimi Europian, Malin e Zi në Këshillin Europian të qershorit. Ne nuk e kemi informacionin që qenka gati kjo punë, kur ta fusë Bashkimi Europian jam i bindur që ai do ta mbështesë Ballkanin e Hapur se neve na shikon si vende që jemi më mbrapa. Nëse ai nuk futet në Bashkimin Europian, ne i kemi thënë “Bujrum, hajde, futu këtu tani, sepse Bashkimin Europian nuk e detyrojmë ne se kur na fut brenda, por ama ne i kemi borxh njerëzve që të krijojmë këtu hapësirën europiane për të gjitha liritë dhe pastaj kur vjen puna të futemi në BE, futemi me këtë kulturë bashkëjetese, që është kultura e BE, dhe e dimë shumë mirë çfarë është lëvizja e lirë, dokumentet, e të gjitha”, tha Rama.

Sipas tij, “kjo është edhe një shkollë për integrimin europian”.

“Ai ishte shumë i lumtur të na bashkohej për zjarret. Ne jemi shumë të kënaqur që zjarret t’i luftojmë bashkë me Malin e Zi. Pastaj, kur të mbarojë 2022, do ta ftojmë në Samitin e dhjetorit 2022 ose të na tregojë si u fut kaq shpejt në Bashkimin Europian ose të bashkohet në Ballkanin e Hapur”, tha Rama./m.m/