Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim falënderues për rezultatin e zgjedhjeve vendor në Durrës, u ndal te projektet madhore me impakt në zhvillimin jo vetëm të Durrësit, por të gjithë vendit.

Kryeministri garantoi se “PS do të bëjë punët që i kanë besuar shqiptarët me votë dhe me të cilat do ta çojmë këtë vend në nivel tjetër”.

Rama tha se Durrësi është i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë.

“Gjithë këto kantiere të mëdha nuk janë vetëm për Durrësin, por për rajonin, gjithë Ballkanin. Kemi portet dhe hekurudhën, realizimi i tyre do të thotë çuarje komplet në nivel tjetër të ekonomisë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se porti turistik nuk ndryshon vetëm Durrësin, por ndryshon ekonominë e vendit.

“Po kështu porti tregtar e hekurudha. Këto janë punë të mëdha. Pastaj nuk diskutohet që turizmi ka rëndësinë e vetë. Do të transformojmë zonën e plazhit. Ky është vetëm njëri prej projekteve që do bëjë që Durrësi, Shijaku, Kruja e Tirana të funksionojnë si një ofertë e vetme”, shtoi Rama.

Kryeministri u ndal po ashtu te puna që duhet bërë në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

“Duhet ta pranojmë se nëse me energjinë kemi bërë një transformim epokal dhe nga një vend ku gjysma e qytetarëve vidhnin ose merrnin energji dhe nuk paguanin dhe të tjerët paguanin edhe për ata, dhe ku ishte një shërbim mizerabël me zyra të klientit në bodrume, nuk mund ta themi dot të njëjtën gjë për Kadastrën”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se nuk është bërë i njëjti revolucion me Kadastrën.

“Një nga arsyet kryesore është se nuk e bëmë me Kadastrën atë që bëmë me energjinë, që të kuptonim se këtu ka një vijë të kuqe dhe OSHEE nuk është ndërmarrje për t’u mjelë e për të çuar në punë veterinerë apo agronomë për të lidhur telat. Te Kadastra duhet të bëjmë një transformim përfundimtar. Është bërë punë, por nuk është më e mjaftueshme. Kadastra është banka e pronave të shqiptarëve dhe ne duhet ta kthejmë në bankë të pronave. Nuk është as e deputetëve, këshilltarëve, drejtorëve dhe e askujt tjetër. Gjithë atë punë voluminoze që është bërë për hartat ne nuk mund ta lëmë të pambaruar”, shtoi Rama.