Kryeministri, njëherësh kreu i PS, Edi Rama deklaroi sot se “ne në Shkodër kemi pasur një situatë barrikade, në sensin e bashkëpunimit të bashkisë me Qeverinë”.

I ftuar në “Wake up”, Rama u pyet nëse do të bashkëpunonte me kryetarët e bashkive të koalicionit që drejtohet nga Meta dhe Berisha.

“Jo nuk do të bashkëpunojmë sepse s’dua unë, por sepse eksperienca ka treguar se edhe pa pasur këtë ngërç kaq të madh të një damkosjeje kaq të rëndë ndërkombëtare e cila është shumë serioze, bashkëpunimi ka qenë i vështirë për shkak të kulturës politike të asaj force që s’ka bashkëpunim në ADN e vet. Tani kjo bëhet edhe me e vështirë pasi gjithë përpjekja është të luftohet me qeverinë, nuk është që të ofrohet diçka tjetër për komunitetin. Në fund të ditës themeli është çfarë do ofrosh më mirë”, theksoi Kryeministri.

Rama nënvizoi se “ne në Shkodër kemi pasur një situatë barrikade në sensin e bashkëpunimit të bashkisë me Qeverinë. Ne e kemi bërë punën në Shkodër që nuk kanë qenë të lidhura me aprovimin e bashkisë siç ishte rruga Shkodër-Velipojë, rrugën e Thethit që është një rrugë alpesh perfektë, po bëjmë rrugën Shëngjin-Velipojë, por këto janë vendime qe nuk varen nga bashkia. Pengesa e bashkisë është e vazhdueshme, edhe tani që flasim rruga Shëngjin-Velipojë është e penguar nga ana e Shkodrës sepse bashkia nuk lëshon letrat e shpronësimeve. Me bashkitë e tjera, halli është ndryshe sepse ka projekte, i bien dyerve”.atsh