ATSH-Maela Marini/ Kompania lider në botë për Inteligjencën Artificiale, “Nvidia” do të bëhet partnere për Diellën, ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa.
Kryeministri kujtoi se AKShI kishte një emër që nuk i thoshte asgjë askujt dhe kishte një grusht shërbimesh jo domethënëse dhe kishte një numër përdoruesish që ishin disa mijëra.
Ndërsa sot, sipas tij, “AKShI ka përdorues të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe në të gjithë botën, përmes e-Albania”.
“Është një fatkeqësi shumë e madhe që emri i AKShI-së të njolloset. Por nga ana tjetër nuk mund të themi që për shkak të gjithë këtij transformimi dhe për shkak të gjithë kësaj barre që ju mbani, AKShI është i pahetueshëm, ose më saktë që një veprimtari e caktuar lidhur me AKShI-në është e pahetueshne. Këtë s’mund ta pretendojmë dot”, shtoi Rama.
Rama tha se suksesi i AKShI-së ka kërkuar kohë dhe sot ne flasim për një model në inteligjencën artificiale.
“Dje kemi qenë në një Zoom me ‘Nvidia’, e cila është e gatshme të bëhet partnere për Diellën. Është e paimagjinueshme”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se “është një histori prekëse që një grusht të rejash dhe të rinjsh këtu në Shqipëri prodhojnë diçka për të cilën ka folur e gjithë bota”.
“Ne sot jemi në kushtet kur së shpejti do të vijë këtu ekipi ‘Nvidias’ për të filluar punën për ta çuar Diellën në një nivel krejt tjetër. Si është e mundur kjo? Kjo është e mundur sepse e bëtë ju, prandaj ju jeni shumë të çmuar”, iu drejtua Rama ekipit të AKShI-së.
Ndërkohë sipas tij, AKShI-në e presin para një sërë sfidash duke nisur nga prokurimet publike me inteligjencë artificale, që do ta transformojë totalisht qasjen e administratës shtetërore ndaj prokurimeve.
“Nëse për një moment do të mendonin që të fikeshin dritat e kësaj shtëpie, Shqipëria do të kthehej në epokën e gurit, në kuptimin e gjithçkaje që ishte përpara se ju ta transformonit këtë vend në vendin e mbi 1000 shërbimeve publike online dhe në vendin ku s’ka radha. Edhe për prokurimet publike do punojmë me Nvidian siç po punojmë me Microsoft”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri vlerësoi se aleanca me Microsoft është e jashtëzakonshme.
“Admirimi i skuadrës së Microsoft për ju është i jashtëzakonshëm. Unë së bashku me Lindën kemi takuar një ndër drejtuesit e lartë të Microsoft dhe më ka shprehur konsideratat më të larta për AKSHI-në dhe për Shqipërinë digjitale. Nuk duhet të dorëzoheni, nuk duhet të ligështoheni dhe duhet të jeni solidarë, dhe duhet të kuptoni që në fund të ditës çfarë nuk të vret, vetëm të forcon”, tha Kryeministri.
Rama tha se duam ta bëjmë inteligjencën artificiale një forcë të re të këtij vendi.
“Kjo është një sfidë që e zgjedhim ne, por ndërkohë që ne duam të bëjmë këtë, ka një sfidë që na zgjedh ne, që është sfida që të përballemi me një çështje të drejtësisë. Në këtë rast me një çështje që prek AKSHI-në, prek reputacionin, krijon mjegull, dhe në mjegull ju e dini se sa hiena, ujq, dhelpra, minj e gjithfarëlloj dykëmbësh me katër këmbë ka Shqipëria, por kjo nuk do të thotë aspak që ne të mos shohim që e nesërmja është përsëri e jona dhe nesër dielli do të lindë përsëri”, shtoi ai.
/a.f/r.e/



























