ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pjesë nga fjalimi i djeshëm në Kuvend ku u diskutua projektligji për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës Rama u shpreh se, ““Edhe engjëlli edhe djalli flenë brenda tek i gjalli”, thotë një fjalë e urtë… Juve hija e mallkimit të 1912-ës, jua ka vënë engjëllin në gjumë të thellë dhe ju mban djallin zgjuar…”

“Ajo e shkretë e drejtë romake presupozon se akuzuesi është njeri me një minimum edukate morale, minimum respekti për detyrimin ndaj prindërve, të paktën, që ju kanë rritur kur keni qenë të vegjël, para se t’iu rrëmbente hija që e përndjek Shqipërinë që nga 1912, apo ndaj fëmijëve që rrisni, një minimum cipe, cipë mbi fytyrën që perëndia jua ka dhuruar bujarisht, duke ju dalluar me zemërgjerësi nga kafshët dhe vetëdije në drejtimin e gjuhës së njeriut, e cila, gjuha e njeriut ndryshon nga llapa e kafshës, pikërisht sepse përveç funksioneve të përbashkëta që kanë, e bekuara gjuhë ka dhe atë funksionin më të përveçëm, fjalën, fjalën që libri i shenjtë thotë është Zoti”, tha Rama dje.

Por, shtoi Rama, “ne dimë edhe tjetrën. “Edhe ëngjëlli edhe djalli flenë brenda tek i gjalli”. E juaja është hija e mallkimit të 1912, jua ka vënë engjëllin në gjumë të thellë dhe ju mban djallin zgjuar”.