Në videon e publikuar nga Rama shihet një qytetar që po lyen me bojë një varkë në hapësirën publike, duke krijuar gjithashtu edhe ndotje.
“Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare, duke i gjobitur që këta të rishfaqen prapë si në një lojë macja me miun”
“Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon vija e kuqe për këdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duke e ndëshkuar penalisht për dhunim të bashkëjetesës qytetare”, nënvizoi Rama.
Gjatë muajit korrik në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht nga bizneset dhe qytetarët.
/k.s/j.p/