Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një diskutimi për sezonin veror me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit në Durrës se formalizimi i sektorit të turizmit, se po mendohet një paqe fiskale mes qeverisë dhe sipërmarrësve në fushën e turizmit, sa i takon deklarimeve për netqëndrimet në pikun e sezonit veror, por edhe jashtë tij.

 

Sipas Kryeministrit, ka qenë kërkesa e kahershme e sipërmarrësve ulja e TVSH-së në 8%, ndërkohë që është 6%, me pretendimin sipas tij, që ky sektor do të formatizohej. “E bëmë 6%, është më e ulëta në Evropë, në rajon dhe patjetër që solli më shumë të ardhura për ju, por sikur nuk solli dhe aq shumë të ardhura për shtetin.

 

Duhet pasur parasysh që ne nuk është se kemi qenë të pavetëdijshëm për këtë, por siç kemi bërë edhe për ARNB, që masivisht janë vënë në funksion. Si rriten me 56% netqëndrimet në Shqipëri, dhe ku flenë këta njerëz? Ne e dimë që Tirana është e mbushur me ARBN, janë të ardhura që nuk deklarohen asgjëkund, Durrësi po ashtu, Vlora është e mbushur me ARBN, por për momentin ne e kemi lënë me vetëdije që njerëzit të akumulojnë të ardhura në këtë fazë dhe në ndërkohë hoteleria të rritet dhe të forcohet, se nuk jemi ne në kushtet që e përballojmë dot me hoteleri gjithë kërkesën”, tha Rama.

 

“Por, sistemi i ri i e-Visitors, sistemi digjital do të futet në funksion se i erdhi koha, nuk e vendosnim dot përpara se do mbysnim edhe pesë veta që punonin në mënyrë të padrejtë, por tani i erdhi koha dhe do të duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Si edhe ajo marrëveshja që ne kemi propozuar është një marrëveshje e hapur, që të paguajë një kontribut fiks bazuar mbi përqindjet e pikut dhe mbi përqindjet e dimrit. Kush e merr, shpëton nga çdo lloj inspektimi dhe stresi, jo erdhi inspektori, jo vajti te dhoma, jo ishte turistja duke krehur flokët, jo i ra derës, jo ajo mendoi se erdhën ta rrëmbejnë etj.”, pohoi Kryeministri.

 

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u ndal edhe te pagesa e tatimfitimit për biznesin e madh me xhiro mbi 140 mijë euro në vit, për të cilin, u shpreh ai, ka një propozim për një paqe fiskale që biznesi të paguajë në bazë të një përllogaritjeje paraprake të xhiros së vitit të kaluar me rritjen ekonomike të këtij viti.