ATSH/ -Kryeministri Edi Rama falënderoi sot Fatmir Xhafajn dhe Mimi Kodhelin, dy veteranë të PS, “për forcën e shembullit të tyre, në shërbim të skuadrës”.

Duke folur në aktivitetin “NISIM VRAPIMIN DREJT TË ARDHMES”, me skuadrën e 25 prillit, kryeministri Rama dha një falënderim të veçantë dhe për Fatmir Xhafajn dhe Mimi Kodhelin.

“Një falënderim të veçantë për Fatmirin dhe Mimin, dy veteranë të kësaj partie të madhe. Partie të madhe jo të socialistëve, por të shqiptarëve, për forcën e shembullit të tyre, në shërbim të skuadrës”, tha Rama.

Rama falënderoi edhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e skuadrës së PS në zgjedhjet e 2017-ës, por që kësaj here nuk janë në formacion.

“Falemnderit patjetër dhe atyre që e dhanë kontributin me përkushtim në skuadrën tonë qysh prej fitores së vitit 2017 dhe megjithëse s’janë më në formacion, janë pjesë e jona dhe do të jenë me ne, deri në minutën fundit të kësaj ndeshjeje. Dhe patjetër edhe pas 25 prillit, për të vijuar punën e përbashkët dhe për t’i fituar të gjitha betejat tona për Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Rama falënderoi edhe të rinjtë që hynë në skuadrën e PS përmes platformës “Deputeti që Duam”.

“Faleminderit dhe më të rinjve dhe të rejave që janë këtu, Borës në Tiranë, Dhorës në Maliq, Jonës në Shkodër, Brisidës në Elbasan, Albanës në Prrenjas dhe me radhë të gjithë atyre që hynë në këtë skuadër nga rruga e platformës së re “Deputeti që Duam”, u shpreh Rama.