TIRANË, 11 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne i kemi mbështetur institucionet e reja të drejtësisë dhe njerëzit e këtyre institucioneve përtej edhe logjikës aritmetike të buxhetit tonë të shtetit”.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Rama tha se “nuk kam pasur asnjë iluzion që kjo do të ishte një shëtitje në lëndinë”.

“Kjo është një ngjitje e vështirë, shumë e vështirë madje dhe për këtë arsye ne i kemi mbështetur institucionet e reja të drejtësisë dhe njerëzit e këtyre institucioneve përtej edhe logjikës aritmetike të buxhetit tonë të shtetit. Merreni, shikojini shifrat se sa buxhet është spostuar nga të tjera zëra, për të shkuar drejt zërit të drejtësisë. Merrni dhe shikoni pagat e institucioneve të drejtësisë, që nga viti 2013 kur ne kemi ardhur në detyrë, nuk është bërë asnjë rritje page e anëtarëve të kabinetit qeveritar apo e deputetëve. Asnjë! Zero! Përkundrazi, u janë rritur taksat”, tha Rama.

Ndërkohë, duke iu referuar pagave në institucionet e drejtësisë, Rama tha se “duhet të shikohet mbështetja financiare dhe logjistike për institucionet e drejtësisë, për të kuptuar se sa shumë rëndësi i japim ne këtij procesi dhe se mbështetja jonë është 360 gradë për drejtësinë e re”.

“E dyta, mbështetja jonë është absolutisht domethënëse kur ne e kemi qepur gojën e do vazhdojmë ta mbajmë të qepur gojën, sa herë që institucionet e reja të drejtësisë do të drejtohen drejt oborrit tonë, për këdo qoftë që mund të ketë llogari të hapur me drejtësinë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë. Ka pasur historia e Shqipërisë ministra të pushkatuar apo të burgosur, por ju e dini shumë mirë se si e qysh ka ndodhur, nuk ka qenë drejtësi as e drejtë, as e pavarur, as demokratike, asgjë, por nuk ka ndodhur në historinë e këtij vendi që kush është në pushtet të qepë gojën kur drejtësia merr këdo qoftë nga radhët e veta për ta vendosur përpara ligjit”, tha ai.

Duke iu referuar komunikimeve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se gjithmonë është përgjigjur se kryeministri nuk është prokuror e gjykatës dhe qeveria nuk bën drejtësi.

“Kështu që mua nuk më jep dot leksione askush për ndërhyrje në punët e drejtësisë, askush! As shqip, as anglisht, as frëngjisht, as italisht, që të jemi shumë të qartë. Nuk më jep dot”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se nuk ka një moment tjetër në histori kur një parti në pushtet ka bërë këtë përpjekje kolosale për t’i hequr drejtësinë nga duart politikës.

“Por kjo nuk është imunitet për politikanët që nuk janë në pushtet. Nuk ka se si të jetë imunitet. Ne nuk jemi këtu për të bërë rolin e budallait, që kur e shohim diçka që bën mu e kur dëgjojmë të gjithë njerëzit në rrugë që na thonë ju na tradhtuat. Është një moment që duhen thënë gjërat dhe kur ne qepim gojën kur një grua arrestohet për një arkë peshk dhe pavarësisht disproporcionaliteti në raport me të tërën themi “edhe arka e peshkut është shkelje”, si mund të vazhdojmë ne të qepim gojën për këta? 13 pasuri të pajustifikuara dhe subjekti mund të jetë sot duke bërë investime, i pa trazuar. Shtëpia, vila, dyqane, garazhe, toka, të gjitha të pajustifikuara e të dala nga vetting-u, jo nga ne, e këta njerëz kalojnë qetësisht afatet e parashkrimit të veprave të tyre, të fshehjes së pasurisë, të deklarimit të rremë e ne të vazhdojmë të heshtim, po pse? Për cilën arsye? Një drejtësi e njëanshme sado e drejtë të jetë në anën ku vepron, është një drejtësi jo vetëm e padrejtë por edhe e rrezikshme”, tha ai.