TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë në Gjirokastër.
“Në qytetin gurtë të shtëpive muze ku tani po korren frytet e projekteve të restaurimit dhe zhvillimit turistik, por ku edhe më shumë do të bëjmë me mbështetjen e gjirokastritëve punëtorë e duarartë në tejkalimin e kësaj Epoke të re Kërcënimesh me detyrën e përballjes dhe triumfit mbi vështirësitë”, theksoi Rama.
Në një takim me banorët në bashkinë e Gjirokastrës, Rama u shpreh se, “kur hyra se nuk e kisha vizituar këtë godinë totalisht të rilindur, mu kujtua kur kam ardhur për herë të parë, sapo isha zgjedhur kryetar i PS dhe ishte pas një humbjeje zgjedhjesh. Nuk kishte shumë njerëz këtu brenda, por realisht ishte si të hyje në një frigorifer dhe ndjesia e të ftohtit, të lagështirës, e gjithë rrënimit të godinës e braktisjes dukej, ndjehej, që gjithë aktiviteti i mëparshëm artistik, kulturor, teatror këtu i përkiste të shkuarës dhe sikur ishte thjesht një prani hijesh vërdallë, ishte në fakt ajo që ndjehej kudo në Gjirokastër”.
“Sot më vjen mirë që kemi hyrë në një fazë kur nuk po merremi vetëm me gjerat thelbësore, në kuptimin e atyre të domosdoshme, të menjëhershme, që në pjesën më të madhe janë bërë, por po rilindim objekte dhe hapësira kulturore, të cilat në pamje të parë dhe për shumëkënd që i shikon sipërfaqësisht janë luks, janë gjëra të tepërta, janë gjëra që presin. Por në fakt është absolutisht e pavërtetë. Janë të domosdoshme dhe janë pjesë integrale e përpjekjes për të rritur ekonominë, për të forcuar ndjesinë e komunitetit, përmes të cilës edhe ekonomia fuqizohet dhe për t’u dhënë fëmijëve dhe më të rinjve hapësira alternative të kafeneve dhe të atij ekranit të kompjuterit apo të telefonit”, theksoi Rama.
Rama foli edhe për zhvillimin e sportit dhe klasave sportive në Gjirokastër, teksa shtoi se, duhet të bëjmë dhe Pallatin e Sportit sepse dimensioni i sportit në shkollë është tani në një dimension tjetër.
Rama gjithashtu vlerësoi dy muzetë e çelura në Gjirokastër, Muzeu Etnografik dhe shtëpia muze e Ismail Kadaresë, të cilat theksoi Rama përsëri janë të lidhura drejtpërdrejt me rritjen e ekonomisë në këtë qytet dhe në këtë territor.
Rama nënvizoi se, duhet të shtojmë arsyet për të ardhur në këtë qytet.
“Vite më parë kur ende xhiroja e re e punëve nuk kishte filluar të merrej plotësisht se ishim akoma në fazën e projektimit dhe projekteve të para, arrije në sheshin e Çerçizit që ishte një parkim i shëmtuar makinash dhe ku kishte, përveç hotel Turizmit edhe 2 apo 3 pika të tjera. Gjirokastra e asaj kohe që nuk është e para 100 vjetësh, është para 6-7 vjetësh arrinte në 7-8 mijë turistë. Sot deri në shtator numërojmë mbi 150 mijë turistë. Është një ndryshim i madh, i pamjaftueshëm në raport me potencialin, por i mjaftueshëm për të na bërë të kuptojmë se çfarë pasurie kemi këtu dhe mbi çfarë pasurie qëndron ky komunitet dhe sa shumë mund të bëhet akoma me këtë pasuri dhe sa shumë vajza dhe djem mund ta shohin të ardhmen e tyre këtu realisht dhe jo nesër, po që sot”, tha Rama.


























