Gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Ministrinë e Brendshme, Kryeministri Rama u ndal te prioritetet e këtij mandati, ku veçoi projektin e satelitëve, që do të jenë ndihmë e jashtëzakonshme për Policinë e Shtetit.

“Keni dëgjuar dhe keni parë shumë gallatë dhe humor me satelitët, por ne do të hedhim satelitin e parë në muajin mars dhe do të kemi në dispozicion të institucioneve shtetërore të dhëna në kohë reale përditë. Do të kemi të dhëna mbi ndërtimet pa leje dhe kjo nuk do të jetë më e varur nga sa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e Policisë, të cilët i kanë sytë hapur katër kur shkojnë e i bien në qafë ndonjë familje në ndonjë fshat dhe mbyllin sytë kur hidhet zhavorr plazheve të Shqipërisë”, tha Rama.

Gjithçka, sipas tij, “do të kalojë te një sy tjetër që nuk ka miq, por ka vetëm mbledhje dhe kalim të dhënash në duart e autoriteteve që duhet të punojnë me ato të dhëna”.

Rama tha se do të kemi të dhëna në kohë reale për luftën e përbashkët kundër ndotjes së mjedisit dhe vendgrumbullimeve të paligjshme të plehrave”.

“Këto janë krime mjedisore dhe Policia e Shtetit duhet të verifikoj në territor jo vetëm vendndodhjet e këtyre skenave të krimit, por edhe protagonistët e tyre dhe pastaj Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Mjedisit thirret për të vepruar më tutje. Është e patolerueshme që në Pyllin e Sodës të mbushet një sipërfaqe me 3 mijë metra katror zhavorr për të cilën duhen kamionë të tërë që venë e vijnë dhe Policia as mos të shikoj, as mos të dëgjoj asnjë gjë. Është e patolerueshme të hidhet zhavorr në plazhin e Jonufrës apo përgjatë vijës bregdetare dhe askush mos të dijë asnjë gjë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “këto janë krime dhe Policia e Shtetit është përgjegjëse dhe goditja e ligjit për ata që i bëjnë këto krime është rënduar maksimalisht”.

“Nuk është më gjoba por kur ti bën një akt të tillë, arrestohesh dhe shkon para drejtësisë. E njëjta gjë për ndërtimet pa leje. Çdo ndërtim që ka shkelje është i paligjshëm. Nuk mund të ketë 4 kate me leje dhe 2 pa leje. Jo, e gjithë godina është e paligjshme dhe për këtë paligjshmëri subjekti merret e çohet para drejtësisë, ndërkohë që e gjithë godina prishet. Kështu e ka ligji i ri”, tha Rama. (vijon)