ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot vendimin e qeverisë që i jep jetë një nisme të re demokratike, duke hapur procesin gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë.
Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Rama tha se “me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillojmë një kuvendim popullor, ku duam mendimin tuaj mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë”.
“Pikërisht në prag të një viti të ri vjen dhe kjo nismë e re e qeverisë për Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë me një pyetësor të cilin do t’ja vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve brenda apo jashtë vendit. Do t’i japim jetë një Kuvendimi popullor ku do të thithim mendimin e tyre mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë tonë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “është më shumë se asnjëherë më parë koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë, përtej shumë gjërave që na ndajnë, në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm para, duke u këshilluar së bashku për vendime që kanë rëndësi dhe impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët”.
Temat e pyetësorit, sipas Ramës përfshijnë çështje të ekonomisë, gjendjes sociale, si dhe përpjekjes jetike për të thelluar arritjet dhe njëkohësisht adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi.



























